Britania e Madhe përballet me recesionin më të gjatë në histori. Paralajmërimi erdhi nga Banka e Anglisë që rriti normat e interesit me 3 pë rqind, vlera më e lartë kjo që prej 1989-s. Banka Qendrore e Mbretërisë së Bashkuar beson se vendi ka hyrë në një periudhë tejet sfiduese të rënies ekonomike që pritet të zgjasë deri në gjysmën e parë të 2024-s.
Sipas parashikimit, papunësia thuajse do të dyfishohet. Ndërsa nuk pritet të jetë tkurrja më e thellë e Britanisë, ajo do të jetë më e gjata, që kur kanë filluar të regjistrohen të dhënat në vitet 1920. Kancelari Jeremy Hunt, tha se inflacioni po peshonte rëndë te familjet, pensionistët dhe bizneset dhe se prioriteti numër një i qeverisë ishte vënia nën kontroll e tij.
“Normat e interesit po rriten rreth botës, ndërsa vendet përballen me rritjen e çmimeve, kryesisht për shkak të pandemisë së Covid-19 dhe luftës ruse në Ukrainë. Gjëja më e rëndësishme që qeveria britanike mund të bëjë tani është të rikthejë stabilitetin, të rregullojë financat publike dhe të mundësojë rënien e borxhit në mënyrë që normat e interesit të mbahen sa më të ulëta që të jetë e mundur”, deklaroi ministri i Financave, Jeremy Hunt.
Normat e reja të interesit, të cilat po rriten që prej dhjetorit, paralelisht me kostot e jetesës, e që tani shkojnë në 3 për qind, nënkuptojnë shtrenjtim të kredisë në nivelin më të lartë që prej 2008-s, kur sistemi bankar i vendit u përball me falimentimin. Flitet për recesion kur ekonomia e vendit tkurret për dy tremujorë radhazi; zakonisht kompanitë gjenerojnë më pak para, pagesat mund të ulet dhe papunësia rritet.
Sipas të dhënave, kostot e jetesës në Britani janë rritur me ritmin më të shpejtë në 40 vite, me çmimet që kanë kërcyer me 10.1 për qind në një vit.
Banka beson se duke rritur normat e interesit do të bëjë kredinë më të shtrenjtë dhe do të inkurajojë njerëzit të mos shpenzojnë para, me qëllim për të zbutur trysninë ndaj çmimeve.