Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një 42-vjeçar shqiptar bashkë me dy djemtë e tij, janë dhunuar brutalisht nga 7 grabitës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Kolonos.
42-vjeçari shqiptar ishte ulur me dy djemtë e tij, 23 dhe 17 vjeç, në një stol në shesh, kur anëtarët e bandës iu afruan. Sipas burimeve policore, grabitësit ishin të veshur me rroba të zeza dhe kapuç, ndërsa drejtuesit i kishte të pambuluara tiparet e fytyrës.
Ishte ai që iu afrua familjes shqiptare dhe me ton të fortë i kërkoi babait t’i jepte 5000 euro.
42-vjeçari shqiptar është përgjigjur se nuk do t’i japë paratë që kërkon dhe më pas gjashtë autorët e tjerë kanë filluar ta godasin me grushte dhe shkelma në kokë, derisa ai ra përtokë i gjakosur. Njëri prej grabitësve i ka rrëmbyer celularin, ndërsa anëtarët e tjerë të bandës kanë sulmuar edhe djemtë e tij. 23-vjeçari ka mbetur i plagosur në brinjë dhe i është marrë varësja e floririt nga qafa.
Autorët janë larguar me vrap, ndërsa viktimat janë dërguar në Kryqin e Kuq, ku iu është dhënë ndihma e parë. Sipas dëshmive të viktimave, kreu i bandës është bashkëkombasi i tyre dhe vetëm 18 vjeç.
Siç konstatuan punonjësit e policisë së Kolonos, nga dosja e tij, ai është me precedentë të tjera për krime të ngjashme.