Egjipti ka mposhtur Gjermaninë për të shkruar histori të hendbollit në Lojërat Olimpike.
Egjiptianët në çerekfinale të turneut olimpik fituan ndaj gjermanëve me shifrat 31:26, të martën. Yahia Omar dhe Ali Zein ishin më efikasët te Egjipti. Të dy i shënuan nga pesë gola. Në gjysmëfinale Egjipti takohet me Francën, të enjten. Në gjysmëfinalen tjetër luajnë Spanja e Danimarka.
Të martën, Franca fitoi 42:28 ndaj Bahrejnit. Spanja fitoi dramën ndaj Suedisë me 34:33, ndërsa Danimarka e mposhti Norvegjinë me shifrat 31:25. Por është Egjipti që shkruan histori sa i takon garës së hendbollit në Lojërat Olimpike.
Egjipti është bërë përfaqësuesja e parë afrikane që ka arritur në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike. Ndërkohë është përfaqësuesja e parë joevropiane që arrin në këtë fazë që nga viti 1988. Faraonët kanë dominuar në ndeshjen ndaj Gjermanisë, duke shkuar në pushim me katër gola avantazh. Gjermanët kanë dështuar të afrohen në rezultat edhe në pjesën e dytë.
Portieri Karim El Hendaway ishte më i miri i ndeshjes, duke bërë plot 18 pritje. Hendbolli në Egjipt vlerësohet shumë i popullarizuar. Ndërkohë arritja në gjysmëfinale konsiderohet me peshë të madhe për rritjen e mëtejme të hendbollit në kontinentin afrikan. Egjipti është paraqitur në nivel të lartë në garat e fundit globale, ndërsa shumë lojtarë të kësaj përfaqësuese tashmë janë pjesë e klubeve të mëdha evropiane. Nëse eventualisht fiton medalje, do të ishte sukses i jashtëzakonshëm për Egjiptin.
“Ne e kemi merituar të eliminohemi sot dhe kjo dhemb edhe më shumë”, ka thënë hendbollisti i Gjermanisë, Timo Kastening. “Nuk kemi arritur nivelin tonë në asnjë moment sot dhe kështu e meritoni të humbni një ndeshje si kjo”.