Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli foli për pritshmërinë brenda kësaj force politike, pas kuvendit kombëtar të 11 Dhjetorit. Ajo u shpreh në “A2Cnn” se kryetari i PD-së, Lulzim Basha është i shkarkuar de facto, por “de jure” do të ndodhë më 11 dhjetor”.
“Data 11 do të ketë legalizimin e ndryshimeve brenda statutit dhe vendosjen e mekanizmave të sigurisë që fenomeni i fillimit të lindjes së autoritarizmit brenda kësaj force politike të mos përsëritet më të ardhmen. Unë besoj se pas kësaj, një opsion mund të jetë krijimi i një grupi pune për fillimin e një procesi për atë që quhet hapja, bashkimi, forcimi dhe zgjerimi i konsensusit, jo vetëm brenda PD, por përtej. Nuk mbyllet çdo gjë në kuvendin e datës 11, aty nis gjithçka. Do të jetë një proces që do të reformojë jo vetëm të djathtën shqiptare”, u shpreh Topalli.
Pyetje: Por, a mund të shkarkohet Lulzim Basha nga kuvendi kombëtar i PD më 11 dhjetor?
“Nëse verifikohen, edhe pse nuk kam dyshim, mazhoranca që merr vendim për kushtetutën, ku një nga nenet është se nëse humb zgjedhjet mbaron mandati i kryetarit, Lulzim Basha është i larguar. Një kryetar qëndron në drejtimin e një force politike apo të një institucioni për sa kohë ai ka mazhorancën. Kjo mazhorancë, të cilën e shohim çdo ditë, por që juridikisht do të verifikohet në datën 11 dhjetor, është kundër fenomenit të Lulzim Bashës. Kështu që de facto, Basha është i shkarkuar, de jure do të ndodhë më 11 dhjetor”, tha Jozefina Topalli.