Departamenti amerikan i shtetit publikoi të enjten raportin mbi trafikun e qenieve njerëzore për vitin 2022, që përfshinë vlerësimet për rreth 190 vende të botës.
Raporti, i publikuar nga Zëri i Amerikës, i ndan vendet në tre nivele. Në nivelin e parë përfshihen vendet dhe territoret qeveritë e të cilave veprojnë në pajtim të plotë me standardet minimale të kërkuara. Në nivelin e dytë hyjnë vendet dhe territoret, qeveritë e të cilave nuk përputhen plotësisht me standardet minimale, por që po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të arritur një gjë të tillë dhe ë nivelin e tretë futen vendet që nuk përputhen plotësisht me standardet minimale dhe nuk po bëjnë përpjekje për një gjë të tillë.
Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të renditen në nivelin e dytë.
KOSOVA
Ngjashëm sikur një vit më parë, raporti thekson se qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për një gjë të tillë. Qeveria demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë COVID-19 në kapacitetin e saj antitrafik, ndaj mbeti në nivelin e 2-të, thuhet në raport.
Këto përpjekje, thuhet më tej, përfshijnë ndjekjen penale dhe dënimin e më shumë trafikantëve dhe identifikimin e më shumë viktimave. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit krijoi ekipe lokale shumëdisiplinore për të përmirësuar bashkërendimin për rastet e trafikimit në tre rajone dhe qeveria shtoi fondet për strehimoret e drejtuara nga OJQ-të.
Qeveria organizoi një fushatë të fuqishme ndërgjegjësimi dhe organet bashkërenduese mblodhën dhe përgatitën raporte tremujore. Megjithatë, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha thelbësore. Gjykatësit vazhduan të shqiptojnë dënime të buta për trafikantët dhe qeveria nuk miratoi Strategjinë Kombëtare Antitrafik dhe Planin e Veprimit 2020-2024.
Organet e zbatimit të ligjit vazhduan ta klasifikojnë lypjen e detyruar të fëmijëve nga prindërit e tyre si neglizhencë ose abuzim prindëror në vend të trafikimit dhe për shkak të procedurave jo të duhura të identifikimit për lypjen e detyruar, autoritetet ka të ngjarë të kenë dëbuar disa viktima të paidentifikuara trafikimi.
Ndjekja penale
Raporti thekson se policia, prokuroritë dhe gjykatat përdorin metoda të ndryshme për numërimin e rasteve të përndjekjeve dhe kjo ka çuar në statistika të paqëndrueshme.
Policia hetoi 17 raste të reja me 43 të dyshuar, krahasuar me 62 raste të reja në vitin 2020. Policia hetoi gjithashtu shtatë të dyshuar të tjerë për “përdorim të shërbimeve seksuale nga një viktimë trafikimi”, krahasuar me nëntë të dyshuar në vitin 2020. Autoritetet ndoqën penalisht 35 raste të reja me 60 të pandehur, krahasuar me 20 raste të reja me 32 të pandehur në vitin 2020.
Gjykatat dënuan shtatë trafikantë, krahasuar me tre në vitin 2020. Gjykatësit vazhduan të shqiptojnë dënime nën kufirin minimal prej pesë vjetësh heqje lirie. Ndërsa një gjykatës dënoi një trafikant me pesë vjet heqje lirie, katër trafikantë u dënuan me tre vjet, një u dënua me dy vjet me kusht dhe me një gjobë prej 300 eurosh.
Gjykatat nuk e zvogëluan numrin e përgjithshëm të lendeve që përfshijnë rastet e trafikimit dhe 70 raste mbetën të hapura nga vitet e mëparshme.
Mbrojtja e viktimave dhe parandalimi
Qeveria, thuhet në raport, shtoi përpjekjet për mbrojtjen e viktimave. Ajo identifikoi 22 viktima, krahasuar me 17 në vitin 2020. Nga këto, 19 ishin viktima të trafikimit seksual dhe tre të lypjes së detyruar; 16 ishin vajza, katër gra dhe dy djem. Një viktime ishte nga Shqipëria.
Profili i trafikimit
Njësoj sikurse edhe viteve të kaluara, raporti thekson se trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat vendase dhe të huaja në Kosovë si dhe jashtë saj. Shumë viktima të trafikimit seksual në Kosovë janë vajza, megjithëse trafikantët detyrojnë gjithashtu gra nga Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vende të tjera evropiane në trafikim seksual.
Trafikantët rekrutojnë gra dhe vajza me premtime për martesë ose punësim si kërcimtare dhe këngëtare dhe i detyrojnë viktimat në trafikim seksual në shtëpi dhe apartamente private, klube nate dhe sallone masazhi. Fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje janë të detyruar të lypin brenda vendit. Trafikantët i nënshtrojnë qytetarët e Kosovës ndaj trafikimit seksual dhe punës së detyruar në të gjithë Evropën. Raporti rithekson se komunitetet e margjinalizuara rome, ashkali dhe egjiptiane janë të prekshme nga lypja e detyruar dhe trafikimi seksual. Në raport thuhet gjithashtu se edhe personat e komunitetit LGBTQI +, migrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët janë të rrezikuar nga trafikantët.
Raport i rekomandon qeverisë së Kosovës të hetojë me forcë, të ndjekë penalisht dhe të dënojë trafikantët, duke përfshirë zyrtarë bashkëpunëtorë, dhe të dënojë trafikantët e dënuar me burg, në përputhje me dënimet e përcaktuara.