Pas 10 vitesh në pushtet, Edi Rama tallet me shqiptarët duke i kërkuar që të jenë pak më të duruar.
Edhe këtë të mërkurë pothuaj se në të gjithë gjatësinë e aksit Tiranë-Shkodër trafiku ka qenë i mbingarkuar. Fluksi i madh i turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të pushuar, por dhe lëvizjet e brendshme në mesin e sezonin turistik i ka bërë të zakonshme këto radhë të gjata makinash në pothuajse çdo orë të ditës. Ministrja e Infrastrukturës një ditë më parë dhe kryeministri sot, kërkojnë mirëkuptim për trafikun e mbingarkuar në mënyrë të veçantë në segmentin Milot-Kashar. Por si Rama dhe Balluku zgjidhjen e shohin tek Korridori Blu, një projekt që ka hyrë në fazën e konkretizimit.
“Lajmi i mirë është se puna e gjithanshme, me projektime dhe financime, për ta lidhur Shqipërinë Perëndimore nga veriu në jug me Korridorin Blu, një autostradë e mirëfilltë e standardeve europiane, ka hyrë më në fund në një fazë konkretizimesh. Korridori Blu do të jetë kolona vertebrore e infrastrukturës turistike të Shqipërisë 2030. Përdoruesit e aksit të rënduar Shkodër – Tiranë nuk do të durojnë më aq shumë sa kanë duruar, edhe pak durim dhe falë edhe Korridorit Blu po edhe shumë veprave publike në nivel vendor dhe investimeve shumë të konsiderueshme private në turizëm, Shqipërinë bregdetare turistike do ta kemi një nga krenaritë tona të mëdha kombëtare”.
Në segmentin Thumanë-Kashar sipas Ministrisë së Infrastrukturës është kryer afro 40 përqind e volumit të punimeve. Për segmentet Milot-Thumanë/Kashar-Lekaj/Lekaj-Fier kanë përfunduar garat dhe janë gati tre kontrata të reja, që i hapin rrugës nisjes së punimeve në terren. Në vjeshtë Rama e Balluku lajmërojnë se do të hapin garën për segmentin Milot-Balldren. Ndërsa nga Muriqan-Lezhë segmenti që lidhet me Malin e Zi, kanë nisur konsultimet me Fondin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) për hartimin e projektit paraprak, që të jetë gati deri në fund të këtij viti.