Një shëtitje familjare në kanionet e Holtës në Gramsh ka përfunduar tragjikisht për 26-vjeçaren nga Lushnja, Desantila Sollaku.
Ajo kishte shkuar në zonën turistike me babain, nënën dhe vëllain, ku pasi kishin ngrënë drekën kishin hyrë në zonën e kanioneve dhe ishin duke ecur.
Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes kanë thënë se rreth orës 16:40 ka pasur një shtim të papritur të prurjeve të ujit, çka ka bërë që disa prej personave që po vizitonin zonën të rrëzohen në atë që njihet si kanioni i tretë.
Mes tyre ka qenë dhe infermierja Desantila Sollaku, të cilën e ka rrëmbyer rrjedha e ujit.
Të afërmit e saj dhe vizitorë të tjerë të kanioneve kanë lajmëruar me vështirësi policinë, pasi zona kishte probleme edhe me valët e telefonit.
Vajza 26-vjeçare është gjetur vetëm pas dy orë kërkimesh, pasi uji e kishte transportuar trupin e saj pranë daljes së kanionëve.
Ndërkaq anëtarët e tjerë të familjes së Desantilës, babai 50 vjeç dhe i vëllai Denisi 20 vjeç janë nxjerrë me probleme të lehta shëndetësore dhe janë dërguar në spital ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën bashkë me nënën e viktimës.
Burime nga vendi i ngjarjes thanë për RTV Ora se numri i vizitorëve në kanionet e Holtës në fundjavë ka qenë i madh ndërsa Desantila Sollaku me familjen nuk kanë qenë e grupit të turistëve, pasi kishin shkuar privatisht në zonën turistike për të kaluar të dielën.
Të afërmit bënë të ditur se 26-vjeçarja ishte kualifikuar si infermiere në një aplikim pune dhe pritej që brenda pak ditëve të nisej për në Gjermani.
Policia e Shtetit tha se pas mbytjes së 26-vjeçares, personat e tjerë që ishin bllokuar në kanionet e Holtës janë nxjerrë pa probleme nga zona e rrezikut gjatë një operacioni kërkim-shpëtimi që ka zgjatur katër orë.
Në kryerjen e veprimeve në terren janë përfshirë edhe RENEA me polumbarët e saj, policia e Gramshit dhe Elbasanit si dhe efektivët zjarrfikës.