Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë fabrikën ushqimore në Trikala të Greqisë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës (26 janar), kur një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar zjarr masiv në fabrikën ushqimore, duke e shkatërruar atë pothuajse plotësisht. Fillimisht, autoritetet raportuan për pesë punëtorë të zhdukur, ndërsa më vonë u konfirmua se tre prej tyre janë gjetur të pajetë në bodrumin e fabrikës.
Sipas informacioneve më të fundit, edhe një grua e katërt është gjetur pa shenja jete, ndërsa kërkimet vijojnë për gjetjen e një punëtoreje tjetër që rezulton ende e zhdukur. Tetë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit dhe zjarrit, ndërsa 12 punëtorë janë transportuar në Spitalin e Trikalës për kontrolle mjekësore, për arsye paraprake.
Departamenti i zjarrfikësve bën me dije se në momentin e shpërthimit në një nga krahët e fabrikës ndodheshin gjithsej 13 persona. Nga punëtorët që arritën të dalin nga godina, tre u transportuan me ambulancë drejt spitalit, ndërsa dy të tjerë u paraqitën vetë me automjetet e tyre.
Në vendngjarje ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, ekipe të emergjencës dhe njësia speciale EMAK, e cila është përforcuar edhe me ekipe nga Lamia. Gjithashtu, është urdhëruar ndërhyrja e njësisë së hetimit për zjarrvënie, për të zbardhur shkaqet e shpërthimit. Sipas autoriteteve, një pjesë e ndërtesës është shembur, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve po vijon me rreth 40 zjarrfikës dhe 13 mjete zjarrfikëse.
Ndërkohë, mbeten të paqarta shkaqet e sakta të shpërthimit. Një punonjës i fabrikës ka deklaruar se në ambientet e saj nuk kishte depozita gazi LPG, çka ka ngritur pikëpyetje mbi origjinën e zjarrit. Autoritetet pritet të kryejnë hetime të detajuara për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

