Autoritetet pakistaneze kanë arrestuar 10 trafikantë të dyshuar të qenieve njerëzore pasi u zbulua se shumë nga dhjetëra emigrantët që u mbytën në brigjet e Greqisë ishin nga Pakistani.
Kryeministri Shehbaz Sharif urdhëroi goditjen e menjëhershme ndaj trafikantëve në kontrabandën e njerëzve, duke thënë se ata do të “dënohen rëndë”.
“Kryeministri ka dhënë një direktivë të fortë për të intensifikuar përpjekjet në luftën kundër individëve të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore,” thuhet në deklaratën për mediat nga zyra e Kryeministrit Sharif.
Agjencia federale e hetimit arrestoi trafikantët e dyshuar të qenieve njerëzore nga pjesë të ndryshme të pjesës së Kashmirit dhe një tjetër nga aeroporti i Karaçit që po përpiqej të ikte jashtë vendit, raportoi TV lokal Geo Neës.
Oficeri i lartë Khalid Chauhan tha se policia i kapi të dyshuarit në mes të një goditjeje ndaj trafikantëve të qenieve njerëzore.
Policia po i merr në pyetje për rolet e tyre në joshjen, kapjen dhe dërgimin e vendasve jashtë Pakistanit duke iu marrë shuma të mëdha parash.
10 trafikantët e dyshuar “janë aktualisht nën hetim për përfshirjen e tyre në lehtësimin e të gjithë procesit”, tha Chaudhary Shaukat, një zyrtar lokal nga Kashmiri i administruar nga Pakistani.
Çdo vit, mijëra të rinj pakistanezë nisin udhëtime të rrezikshme duke u përpjekur të hyjnë në Evropë pa dokumente të duhura në kërkim të një jete më të mirë.
Raportet tregojnë se kishte të paktën dhjetëra pakistanezë në bordin e anijes që u mbyt në gadishullin e Peloponezit të Greqisë të mërkurën, duke vrarë të paktën 78 persona dhe qindra të tjerë të zhdukur, transmeton Al Jazeera.
Rreth 750 burra, gra dhe fëmijë gjithashtu nga Siria, Egjipti dhe nga Palestina ishin në bordin e anijes, duke u përpjekur të shkonin te të afërmit e tyre në Evropë.