Tragjedia në stacionin e trenit, protesta të mëdha në Beograd

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Mijëra protestues u mblodhën para ndërtesës së qeverisë serbe në Beograd, duke kërkuar arrestimin e atyre që janë përgjegjës për aksidentin në stacionin hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, që la pas vetes 14 të vdekur.

Veprimtarët e opozitës shprehën zhgënjimin e tyre që askush nuk është arrestuar apo ndjekur për atë që ata thonë se ishte lënie pas dore dhe korrupsion nga autoritetet.

Me 1 nëntor në Novi Sad, rreth 70 km në veriperëndim të Beogradit, çatia përgjatë hyrjes së stacionit hekurudhor u shemb papritmas, duke vrarë 14 njerëz dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë.

Sipas një plani origjinal, protestuesit duhej t’i dorëzonin Presidentit Aleksandar Vuçiç kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Milosh Vuçeviç dhe kryetarit të Novi Sadit Milan Gjuriç.

Por pallati presidencial ishte i mbyllur dhe i rrethuar nga policia, kështu që ata thanë se do t’i dorëzonin në parlament kërkesat, përfshirë ato për publikimin e kontratave te fshehta për rindërtimin e stacionit hekurudhor.

Nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, deputetët e opozitës thanë se do të bëjnë thirrje për një votë mosbesimi ndaj qeverisë.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej “Korrupsioni vret” dhe “Krim, jo tragjedi”.

Politikanët opozitarë, aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut në Serbi, i akuzojnë autoritetet besnike të Presidentit Vuçiç dhe Partisë së tij Përparimtare Serbe për korrupsion të shfrenuar, lidhje me krimin e organizuar, nepotizëm dhe burokraci të tepruar. VOA

Share This Article