Rada Trajkoviq, këshilltarja politike e ministrit të Kosovës, për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë qytetarët serbë të Kosovës në të gjitha qytetet duhet ta pranojnë faktin që serbët duhet të jenë pjesë e Policisë së Kosovës si zyrtarë policorë.
Ajo, me anë të një cicërime në Twitter, ka deklaruar se komunat veriore duhet të kenë një forcë policore që pasqyron përbërjen etnike të komunitetit shumicë në mënyrë që të zbatohet në mënyrë efektive ligji.
“Serbët që punojnë në Policinë e Kosovës nuk janë më pak serbë se vëllezërit e tyre në veri dhe ata duhet të pranohen si vëllezër. Nëse veriu mund të toleronte për vite me radhë pushtetarët “e tij” vendas që persekutonin disidentët në mënyrë të papërgjegjshme (dhe deri në shfarosje), çfarë i shqetëson ata tek këta njerëz”.
“Serbët në veri duhet të marrin një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tyre: A duan të ndërtojnë jetë normale për veten e tyre në Kosovë apo të vazhdojnë t’i ndjekin ata që i sollën në këtë situatë? Ata aktualisht kanë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar dhe është e rëndësishme që më në fund ta përdorin atë vëmendje me mençuri dhe saktësi”, ka thënë Trajkoviq./Klankosova.tv