Paqartësia mbretëron mes trajnerëve të Premier Leagues për disponueshmërinë e lojtarëve nga Amerika e Jugut, të cilët janë nën kërcënimin e një ndalimi pesëditor nga FIFA për shkak të mungesës në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror “Katari 2022”.
Brazili shfrytëzoi një rregullore të FIFA-s në një përpjekje për të parandaluar tetë lojtarët që të luajnë për klubet e tyre angleze këtë fundjavë. Ata lojtarë u thirrën për kualifikimet e Botërorit, por nuk udhëtuan pasi ekipet e Premier Leagues kundërshtuan që ata të shkonin në vendet e Amerikës së Jugut, të cilat janë renditur në listën e kuqe nga Qeveria britanike për shkak të pandemisë COVID-19.
Ekipet tjera kombëtare të Amerikës së Jugut që ishin pa lojtarë me bazë në Angli, përfshijnë Uruguain (Edinson Cavani), Kilin (Francisco Sierralta) dhe Paraguain (Miguel Almiron).
Periudha e kufizimit pesëditor do të fillonte menjëherë pas dritares ndërkombëtare, e cila për Amerikën e Jugut përfundoi të enjten.
E ky kufizim për këta lojtarë mund të vlejë edhe për ndeshjet e fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, që zhvillohen javën e ardhshme. Kjo ndalesë ishte një temë e nxehtë në konferencat për shtyp të dhëna nga trajnerët e Premier League të premten, dhe kishte larmi përgjigjesh. Për trajnerin e Newcastle Unitedit, Steve Bruce, mesfushori Almiron është në dispozicion për të luajtur kundër Manchester Unitedit të shtunën në “Old Trafford”.
“Ka mbizotëruar njëfarë marrëveshjeje e shëndoshë dhe Almiron është në dispozicion për përzgjedhje, kështu që ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që do ta kemi ndaj Manchesterit”, tha Bruce.
Ndër lojtarët brazilianë nën kërcënimin se nuk do të luajnë në Premier League këtë fundjavë janë Alisson, Fabinho dhe Roberto Firmino të Liverpoolit; Ederson dhe Gabriel Jesus të Manchester Cityt; Thiago Silva i Chelseat dhe Fred i Manchester Unitedit.
Trajneri i kampionit në fuqi, Manchester Cityt, Pep Guardiola në prag të përballjes me Leicesterin që e luan të shtunën, tha se ka qenë në pritje për një vendim përfundimtar të FIFA-s, të cilin nuk e ka pranuar. Kështu që Guardiola llogarit në brazilianët pavarësisht raportimeve të mëparshme se ata nuk do të lejohen të luajnë nga Federata e Futbollit të Brazilit që ka kërkuar nga FIFA implementimin e suspendimit prej pesë ditëve (10-14 shtator).
“Tani për tani unë mendoj se ata (Jesusi dhe Ederson) do të luajnë sepse ne nuk kemi udhëzime të tjera. Për momentin unë llogariti në ta për ndeshjen ndaj Leicesterit që është shumë e rëndësishme”, ka pranuar Guardiola.
Për dallim prej Bruce dhe Guardiolas, trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, dukej më pak i sigurt për treshen e tij braziliane, ndonëse pranoi se është në pritje të një njoftimi përfundimtar nga FIFA. Klopp tha se nuk e di kur do ta pranojë njoftimin dhe ende nuk ka vendosur nëse do t’i përfshijë brazilianët në ekip për duelin në udhëtim ndaj Leeds Unitedit, që luhet të dielën.
“Unë nuk kam asnjë ide kur mund të pres një njoftim, do ta shohim sepse ende nuk kam vendosur asgjë”, u shpreh Klopp.
Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e quajti situatën që përfshin mesfushorin Fred si një “farsë”.
“Unë besoj se ne do ta përdorim Fredin për ndeshjen që e kemi, pasi nuk ka asnjë arsye për ta ndaluar”, shtoi Solskjaer.
Ekipet e Premier Leagues kishin thënë se nëse lojtarët shkonin të luanin në shtetet që ishin në “listën e kuqe” të Britanisë, atëherë ata do të duhej të karantinoheshin për dhjetë ditë në një hotel kur të ktheheshin dhe kishin pak gjasa për t’u stërvitur.

