Trajneri i Greqisë paralajmëron Kosovën, synon vendin e dytë në grup

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Greqisë, John van’t Schip ka kërkuar fitore në dy ndeshjet e këtij muaji të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katari 2022”. Greqia javën e ardhshme përballet me Spanjën dhe Kosovën për t’i dhënë fund këtij cikli eliminator dhe përzgjedhësi Van’t Schip beson se Greqia mund të përfundojë e dyta në grup për të siguruar plejofin për Botërorin e vitit të ardhshëm.

Ai tashmë ka publikuar listën prej 24 futbollistëve, në të cilët llogarit për ndeshjet me Spanjën dhe Kosovën, që Greqia i luan në shtëpi në kuadër të Grupit B kualifikues. Duelin e parë, Greqia e luan ndaj Spanjës më 11 nëntor, ndërsa katër ditë më vonë përballet me Kosovën. Aktualisht, Greqia është e treta në grup me nëntë pikë të mbledhura pas gjashtë ndeshjeve të luajtura. Ka katër pikë më pak se Spanja që zë vendin e dytë dhe gjashtë më pak se Suedia që është lidere. Pozitën e katërt e mban Gjeorgjia me katër pikë, sa i ka edhe Kosova që është e fundit dhe me një ndeshje më shumë të luajtur.

“Ndeshjet me Spanjën dhe Kosovën janë të fundit në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror dhe ne do të luftojmë për të përfunduar në pozitën e dytë në grup, që është shumë e rëndësishme dhe na mundëson të luajmë në plejof”, ka thënë Van’t Schip. “Për këtë arsye, ne duhet t’i fitojmë të dy ndeshjet pasi luajmë në shtëpi. Është një mundësi e mirë dhe duhet të japim gjithçka nga vetja”.

Në fillim të javës së ardhshme, Greqia do ta nisë grumbullimin për duelet me Spanjën e Kosovës. Përzgjedhësi Van’t Schip ka thënë se do të përpiqet ta përgatitë ekipin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme për këto dy përballje. Ai gjithashtu ka folur edhe për ndeshjen me Kosovën, duke i vlerësuar “Dardanët” si kundërshtar të vështirë. Megjithatë, Van’t Schip beson në të përzgjedhurit e tij. Në listën që e ka publikuar, ai për herë të parë ka ftuar mbrojtësit Gerasimos Mitoglou (AEK) dhe Dimitris Goutas (Sivasspor).

“E kemi vazhdimisht në mendje se Kosova nuk është aspak kundërshtar i lehtë për ne, pasi këtë na e ka dëshmuar në tri ndeshjet që jemi përballur. Këtë e kemi parasysh, kështu që duhet të jemi mirë të përgatitur, të luajmë futboll të nivelit të lartë dhe të kërkojmë rezultatin më të mirë të mundshëm, fitore”, është shprehur Van’t Schip. “Besoj se do të jemi gati për këtë”.

Në ndeshjen e parë në kuadër të këtyre kualifikimeve, të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në muajin shtator, Kosova pati barazuar 1:1 kundër Greqisë. Në këtë takim, Kosova e pati barazuar rezultatin në minutat shtesë me golin e sulmuesit Vedat Muriqi. Ndërkohë, dy ndeshjet e tjera me Greqinë janë zhvilluar në edicionin 2021/21 të Ligës së Kombeve. Greqia e pati mposhtur Kosovën 2:1 në Prishtinë, ndërsa në Athinë ndeshja ka përfunduar pa gola. Aktualisht, Kosova është në një seri negative në kualifikimet e botërorit “Katari 2022”, ku në tri ndeshjet e fundit ka regjistruar tri humbje. Para ndeshjes me Greqinë, Kosova do të luajë miqësore me Jordaninë (10 nëntor) në Prishtinë. Në të dy ndeshjet e këtij muaji, Kosova do të drejtohet nga slloveni Primozh Gliha, i cili ka zëvendësuar Bernard Challandesin e larguar dhe është përzgjedhës i përkohshëm te “Dardanët”. Kosova ende nuk e ka publikuar listën për këto ndeshje, gjë që pritet ta bëjë të premten.

Share This Article