Trajneri i Shqipërisë U21, Alban Bushi u shpreh i lumtur pas fitores me përmbysje 3-2 ndaj Rumanisë U21, në përballjen kualifikuese të Euro 2025.
“Në pjesën e parë na priste shumë mbrapa Rumania, na kishin studiuar shumë mirë. Ne ata jo se kanë bërë vetëm stërvitje, nuk kanë bërë një ndeshje ndërkombëtare që t’i shihnim si luajnë. Na kishin parë dhe na kishin mbyllur nga krahët, kishin lojtarë shumë fizikë. Ne vinim nga ndeshja e Armenisë ku ka ndikuar udhëtimi, për çudi në pjesën e dytë funksionoi gjithçka edhe me aktivizimin e lojtarëve.
Ne jemi ekip e grup, që nga punëtori e deri te trajneri, punojmë si skuadër. Nuk ka individë në futboll, ne sot ishim ekip, treguam shumë karakter, sakrifikuam dhe kjo është e rëndësishme. I kam thënë djemve që ne mund të rrahim edhe Gjermaninë, në këtë moshë mund të ndodhë çdo gjë, nëse je i karikuar dhe zbaton detyrat që japim.
Ne në këto ndeshje erdhëm me shumë vështirësi, ne bëmë vetëm një ditë stërvitje në Armeni. Pajaziti është një lojtar i rëndësishëm, e kam thënë që i ngjan një Demollari të ri. Doktori i ka thënë që të dalë pas minutës së 60 se mund të këpuste muskulin, por ai tha “jam mirë”. Unë dua t’i falënderoj çunat se ishte një fitore karakteri, ta kthesh nga 0-2 është shumë e vështirë me ekip si Rumania, janë lojtarë që kushtojnë shumë e me minuta në këmbë. Ne kemi objektiv të shkojmë në Europian dhe do e shohim ndeshje pas ndeshje.
Kemi luajtur mirë, përveç ndeshjes me Armeninë, edhe pse e kemi fituar. Ky grup e ka mundësinë të shkojë lart se janë cilësore, janë punëtorë dhe kemi 2-3 lojtarë që bëjnë diferencën dhe ata na zbukuruan lojën sot”, tha Bushi për ”SuperSport”.