Kurorëzimi i Liverpoolit si kampion i Anglisë për herë të parë pas 30 vjetëve është kulmi i një udhëtimi dramatik që nga emërimi i Jurgen Kloppit si trajner i skuadrës në vitin 2015.
Klopp është fytyra karizmatike e shndërrimit të Liverpoolit nga një skuadër që synonte vetëm të zinte një vend në top-katërshe në Premier League, në njërën nga skuadrat më të mira të botës dhe fitues të Premier Leagues.
Por, suksesi i “The Reds” në fushë është bërë i mundur nga disa punë të rëndësishme nga njerëz mendjemprehtë që kanë punuar gjetjen e talenteve dhe shitjen e lojtarëve të panevojshëm.
Nga ekipi prej 18 lojtarësh, në ndeshjen e parë të trajnerit gjerman, pesë vjet më parë, në këtë edicion kanë luajtur vetëm tre prej tyre, James Milner, Adam Lallana dhe Divock Origi.
Ndërtimi i skuadrës fituese të titullit të Liverpoolit ka qenë një proces i qëndrueshëm.
Në afatin e parë kalimtar të Kloppit u transferuan Sadio Mane dhe Georginio Wijnaldum, të cilët ndihmuan skuadrën të kthehej në Ligën e Kampionëve.
Në vitin tjetër ekipit iu bashkuan edhe Mohamed Salah, Andy Robertson dhe Alex Oxlade-Chamberlain.
Deri në janar të vitit 2018, pas një përpjekjeje të gjatë, klubi angazhoi më në fund edhe gjigantin e mbrojtjes Virgil van Dijk, holandezi i cili u bë mbrojtësi më i shtrenjtë në botë për 93 milionë dollarë.
Frymëzuar nga golat e shumtë të Salah, ndikimit të menjëhershëm të Van Dijkut në mbrojtje dhe pjekuria në rritje e dy mbrojtësve të krahut të akademisë nga Robertson dhe Trent Alexander-Arnold, Liverpooli arriti në finalen e Champions Leagues në vitin 2018.
Dy gabimet e mëdha të portierit Loris Karius në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit e vonuan triumfin në Kupën e gjashtë evropiane për një vit, por ajo që ndodhi më pas tregoi dëshirën e pamëshirshme të klubit për t’u rikthyer në fitimin e trofeve të mëdhenj.
Kariusi nuk luajti më asnjë ndeshje për Liverpoolin, pasi skuadra theu një tjetër rekord sa u përket blerjeve, duke paguar shtrenjtë portierin e Romës, Alisson Becker.
Fabinho, Naby Keita dhe Xherdan Shaqiri po ashtu iu bashkuan skuadrës si transferime të tjera më 2018-n, me skuadrën që shpenzoi më shumë se 160 milionë funte.
“Ndoshta në këtë sezon më në fund do t’u kërkohet që ata ta fitojnë titullin”, kishte thënë trajneri atëkohë i Manchester Unitedit, Jose Mourinho.
Dhe fitorja ka qenë ajo që Liverpooli ka bërë pa mëshirë për dy vjet.
Plot 97 pikë nuk ishin të mjaftueshme një vit më parë për ta fituar titullin e kampionit, për shkak të Manchester Cityt që pati një sezon të jashtëzakonshëm.
Por mundi nuk shkoj huq, e as shpenzimet, pasi Liverpooli e fitoi Ligën e Kampionëve, me një paraqitje mbresëlënëse, në ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale ndaj Barcelonës, duke përmbysur epërsinë prej 3:0 të Barçës nga ndeshja e parë në “Camp Nou”. Pa yjet, të lënduarit Salah e Roberto Firmino, “Reds” triumfuan 4:0 në “Anfield” të siguruar finalen.
Sipas specialistëve në faqen për transferimet e lojtarëve “Transfermarkt”, shpenzimet neto të Liverpoolit gjatë pesë vjetëve të kaluar janë 109 milionë funte, që janë madje më pak se shpenzimet e skuadrave si Bournemouth, Aston Villa dhe Brighton.
Është një dëshmi e aftësisë menaxheriale të Kloppit, që largimi i Philippe Coutinho te Barcelona për 142 milionë funte, në janar 2018 nuk e prish përparimin e skuadrës së tij.
Drejtori i Sportit, Michael Edwards ka luajtur një rol të madh që t’i japë Kloppit burimet e nevojshme për të kryer punën, duke nxjerrë fitimin maksimal nga largimet.
Shitjet e Mamadou Sakho, Dominic Solanke, Danny Ward, Danny Ings, Christian Benteke dhe Jordon Ibe kanë ndihmuar skuadrën të fitojë 120 milionë funte të tjera.
“Më duhet gjithashtu të nxjerr në pah rolin e drejtorit tonë sportiv, Michael Edwards në këtë udhëtim deri tani”, tha Klopp kur nënshkroi zgjatjen e kontratës deri më 2024, më herët gjatë këtij sezoni.
“Kontributi dhe bashkëpunimi i tij kanë qenë po aq të rëndësishme sa kushdo tjetër për të na futur në një pozicion për të garuar për titujt kryesorë”.
Pasi u ngjit në maje, Liverpooli planifikon të qëndrojë gjatë atje.
Shumica e lojtarëve kryesorë, përfshirë Salah, Mane, Firmino, Robertson, Alexander-Arnold dhe Jordan Henderson që të gjithë kanë vazhduar kontratë në dy vjetët e fundit.