Mbështetësit e ish-Presidentit brazilian, Jair Bolsonaro kanë thyer barrierat e sigurisë të vendosura nga Forcat e Armatosura dhe kanë hyrë në Kongres, në Gjykatën e Lartë dhe Pallatin Presidencial Planalto.
Ministri i Drejtësisë, Flavio Dino kishte autorizuar Forcat e Armatosura të vendosnin barrierat dhe të ruanin ndërtesën e Kongresit të shtunën për shkak të pranisë së vazhdueshme të mbështetësve pro Bolsonaros, por pavarësisht të gjitha masave të marra, mbështetësit e ish-Presidentit brazilin kanë hyrë në institucionet e larta shtetërore të Brazilit duke shkaktuar kaos.
Policia përdori gaz lotsjellës, por nuk arriti t’i zmbrapsë demonstruesit. Ata kanë thyer xhamat, ndërsa të tjerë arritën në dhomën e Senatit.
Mbështetësit e Bolsonaros bëjnë thirrje për ndërhyrje ushtarake dhe dorëheqjen e Presidentit Lula da Silva, i njohur si Lula.
Shumë prej tyre krijuan kampe në qytete anembanë Brazilit, disa prej tyre jashtë kazermave ushtarake. Kjo sepse mbështetësit e ish-Presidentit Bolsonaro duan që ushtria të ndërhyjë dhe të bëhen zgjedhje të mira pasi ata pretendojnë se zgjdhjet janë vjedhur.
Trazirat në Brazil vijnë rreth një javë pasi në krye të shtetit brazilian erdhi Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva, i cili u rikthye në pushtet pas një ndërprerje 12-vjeçare pasi mundi Bolsonaron në balotazhin e zgjedhjeve më 30 Tetor.
CNN Brazil raporton se Presidenti Lula da Silva nuk ishte në Pallatin Presidencial Planalto në momentet kur mbështetësit e Bolsonaros hynë në Pallatin Presidencial, por një ekip i zgjedhur pas marrjes së detyrës së Lula da Silvas po punonte brenda pallatit në kohën kur protestuesit hynë brenda.
Zyrtarët në Pallatin Planalto janë duke pritur që Forcat Ajrore t’i evakuojnë ata nga ndërtesa.
Bolsonaro u largua nga Brazili pas marrjes së detyrës së Presidentit të Luiz Inacio Lula da Silva dhe aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara./tvklan.al