Tre lojëra, një krizë: Si po përballen SHBA-ja, Irani dhe Kina!

albnews
By
6 Min Read

nga Giulia Belardelli

Në luftën midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe në rrugëtimin që çoi drejt nisjes së negociatave në Pakistan, “janë ballafaquar tri kultura strategjike, që u korrespondojnë tri lojërave të ndryshme”.

Donald Trump u përpoq të impononte logjikën e pokerit; Irani u përpoq të mbijetonte me logjikën e shahut, ndërsa Kina punoi për të ndryshuar mjedisin dhe gjeometrinë e krizës me Weiki-n (Go).

Ettore Sequi, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane dhe ish-ambasador në Kinë, përdor këtë metaforë për të përshkruar sjelljen e SHBA-së, Iranit dhe Kinës në krizën e madhe nga e cila do të varen ekuilibrat e botës.

Le të nisim analizën me Trumpin. Pse loja e tij është pokeri?

Sepse ishte vetë Trumpi që, kur nisi të thoshte se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk i kishte “letrat” për të negociuar, nxiti idenë e pokerit. Pokeri është një lojë ku mbretëron terri informativ: çdo lojtar njeh letrat e veta, por jo ato të kundërshtarëve. Është një bixhoz i llogaritur që bazohet në elemente si blofi, presioni psikologjik, rritja e shumës së bastit etj., dhe të gjitha këto janë shumë të dukshme në taktikën e Trumpit.

Shtetet e Bashkuara kanë vepruar kryesisht me logjikën e pokerit, me një përdorim të gjerë të “ultimatumeve të fundit”, përshkallëzimit verbal dhe kërcënimeve për goditje dërrmuese, në kërkim të një rezultati të shpejtë, të dukshëm dhe të përdorshëm si trofe edhe brenda SHBA-së.

Kjo është një logjikë që e shohim edhe në formatin e armëpushimit, sipas amerikanëve: dy javë negociata me dyer të mbyllura, një dorë e shpejtë dhe me informacion të kufizuar, njëlloj si në poker.

Ndërkohë, cila është loja e Iranit?

Loja e Iranit është ajo e shahut, që jo më kot lindi në Persi (fjala rrjedh nga persishtja shāh, që do të thotë “mbret”). Në shah, qëllimi është të mbrohet mbreti, domethënë Udhëheqësi Suprem (jo personi në vetvete, por institucioni). Për regjimin iranian, kjo është një luftë ekzistenciale, ku në lojë është mbijetesa e tij.

Shahu është një lojë ku vlen pozicioni dhe jo iluzioni, ku gjithçka është e dukshme mbi tabelë, ndryshe nga pokeri. Çdo lëvizje lidhet me të mëparshmet dhe me ato pasuese, dhe parashikohet që të sakrifikohen pjesë për të mbrojtur mbretin.

Në fund, është një lojë rezistence: absorbohen sulmet, humben asete jo jetike, synohet të menaxhohet koha dhe të zgjatet ndeshja për të shmangur humbjen. Nëse mbreti nuk rrëzohet, loja vazhdon.

A vlejnë këto logjika të ndryshme edhe për negociatat?

Po. Teherani i qaset armëpushimit me të njëjtën frymë. Ai dëshiron të shpëtojë thelbin e pozicionit të vet (aspektet negociuese që njohim) dhe ta detyrojë kundërshtarin në një ndeshje të gjatë, duke e ditur se Trumpi është nën presionin e tregjeve dhe opinionit publik.

Po kinezët, çfarë loje po luajnë?

Logjika e Kinës, përmes Pakistanit, pasqyron lojën Weiki (e njohur edhe si Go). Loja ka të bëjë me rrethimin e kundërshtarit, me mbështjelljen e tij pa u vënë re. Në weiqi ekzistojnë hapësira dhe ndikimi; nuk ka një qendër vendimtare dhe nuk synohet shkatërrimi i një pjese kyçe, por vendosen shumë gurë të vegjël bardhë e zi (edhe në periferi) për të rrethuar kundërshtarin.

Pakistani ka qenë ai që në Weiki quhet “guri anësor”, i cili duket dytësor. Por, në realitet, duke u lidhur me të tjerët, transformon të gjithë ekuilibrin.

E çfarë synon të arrijë Pekini me këtë “dorë” weiki?

Në fillim Kina nuk u ekspozua. Pekini, që gjithsesi kishte grumbulluar disa rezerva nafte, importon rreth 40 për qind të nevojave të tij nga Gjiri. Pakistani është edhe më i varur: rreth 80 për qind e importeve të tij të naftës vijnë nga atje.

Pekini nuk kërkoi goditjen teatrale, por u angazhua për të krijuar lidhje, duke përdorur edhe gurë periferikë, si Pakistani. Për herë të parë, patëm një “aziatizim” të negociatave të Lindjes së Mesme. Kina mbajti komunikime me të gjithë, duke i rreshtuar gurët në atë mënyrë që të tjerët u gjendën të mbështjellë në këtë rrjet.

Cilat janë avantazhet e saj?

Nga pikëpamja kineze, problemi nuk është vetëm qasja në naftën e Gjirit, por edhe arritja e disa objektivave: të fitojë peshë gjeopolitike dhe të shfaqet si një fuqi e parashikueshme, paqësore dhe përgjegjëse. Në planin e fuqisë së butë, sa më impulsive të duket SHBA-ja, aq më shumë përfiton Kina.

A ka sens të thuhet kush fiton e kush humbet, duke qenë se flasim për tri lojëra të ndryshme? Mund ta themi me njëfarë përafrimi. Ajo që me siguri nuk po fiton është SHBA-ja. Hyri në luftë në një situatë ku në Hormuz kalohej pa probleme, ndërsa sot jemi në një pikë ku ngushtica jo vetëm është e bllokuar, por Irani është vetëofruar si subjekt i aftë për ta menaxhuar. Pra, kjo luftë, e nisur nën hijen e uraniumit të pasuruar, është shndërruar në një luftë sistemike nën hijen e naftës./Pamfleti

Share This Article