Albania
Tre momentet që çmontojnë fushatën e Ramës për “pasaportën europiane”
Si në çdo fushatë, Edi Rama është sërish në rolin e tregtarit të ëndrrave të bukura dhe prej një muaji tashmë, i është futur paketimit të ëndrrës Europiane, në këmbim të votave të 11 majit. Një herë u premton shqiptarëve se do të kenë pasaportë europiane dhe për këtë krijon me photoshop pasaporta të mëdha të falsifikuara, që i ekspozon në ekranet gjigande të skenës elektorale.
Pastaj mban fjalime dhe përshkruan ditën kur shqiptarët do të ecin dinjitozë në korridoret e aeroporteve bashkë me qytetarët e tjerë europiane, krah për krah me gjermanët, me holandezët apo me francezët. Në fund këmbëngul në sloganin e fushatës se vetëm ai “Vetëm me Edin” dhe me Partinë Socialiste do ia dalim të shohim dritë në fund të tunelit në vitin 2030. Por si çdo përrallë që rrëfehet përpara gjumit, edhe kjo e 11 Majit ka momentin e saj kur dëgjohet zëri i realitetit që të shkund përgjumja ku të çon propaganda e sofistikuar e pushtetit.
Vetëm me Edin? Jo, thotë BE
1) Në fjalimet që Rama ka mbajtur gjatë takimeve elektorale, ai këmbëngul se vetëm Partia Socialiste mund të përparojë në procesin e integrimit në BE. Jo më kot, slogani i PS është “Vetëm me Edin”. Madje Rama shkon përtej dhe thotë se zyrtarët në Bruksel e ndjekin me vëmëndje situatën në Shqipëri dhe sipas tij, sa më e thellë të jetë fitorja e socialistëve në zgjedhje, aq më fort do të jehojë dëshira e shqiptarëve në Bruksel për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Vetëm se në një reagim të delegacionit të BE për Lapsi.al, kjo fabul del krejtësisht e gënjeshtërt, madje BE pohon krejt të kundërtën, që integrimi nuk është ekskluzivitet i një partie, por i të gjitha partive dhe i të gjithë popullit shqiptar. “Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është një objektiv strategjik kombëtar, i cili mbështetet fuqishëm nga shumica dërrmuese e qytetarëve në Shqipëri dhe gëzon mbështetje të plotë ndërpartiake” ishte përgjigjia që dha delegacioni i BE pas interesimit të Lapsi.al.
Premtimi për 2030, Kaja Kallas nuk e konfirmon
2) Një ndër premtimet që Rama lëshon në mitingjet elektorale është ai që ka të bëjë me afate konkrete të procesit. Për shembull, kryeministri premton që në 2027 do të mbyllë tërësisht negociatat me BE, ndërsa në 2030, pra në mandatin e tij të pestë, do të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Si për çdo iluzion të gënjeshtërt është problem kur flitet me data konkrete. Disa ditë më parë, gjatë vizitës në Shqipëri Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, njëkohësisht Zëvendëspresidente e Komisionit Europian Kaja Kallas u pyet nga gazetarët në konferencën mbi mundësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE në vitin 2030 dhe ajo e zhbëri edhe këtë slogan të Edi Ramës. Kaja Kallas u kujdes ta shmangë me elegancë afatin e futjes së Shqipërisë në BE duke thënë: “është një objektiv realist, por në mënyrë që të përmbushet duhen ndërmarrë disa hapa, dhe Shqipëria duhet të miratojë e zbatojë reformat në praktikë”. Me fjalë të tjera: nuk mund të flitet tani për asnjë afat magjik, nga ato që Edi Rama i lëshon pa teklif në monologjet e tij para ekranit të kompjuterit dhe që ai i quan “Sy m’sy”.
Ndalet edhe Gjermania. Kërkon reflektim, jo zgjerim të BE
3) Në retorikën e fushatës, Rama luan me idenë se tani, në këtë periudhë janë pjekur kushtet që BE ka vendosur t’i japë një shans zgjerimit me vende të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipërisë. Por së fundmi, gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), një nga gazetat më të rëndësishme dhe prestigjioze të Gjermanisë, dhe njëkohësisht një nga më të njohurat në Evropë ka zbuluar se në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së ardhshme federale gjermane sanksionohet një kthesë e fuqishme në politikën e jashtme, që nuk ka më prioritet zgjerimin, por reflektimin për funksionimin e brendshëm të BE. “Deri në zgjerimin e radhës, duhet një konsolidim i brendshëm dhe reformë brenda BE-së që e forcon atë institucionalisht”, – thuhet në pjesën e parë. Praktikisht, Berlini po zhbën shpresat e atyre që shpresonin për një integrim të shpejtë në BE dhe ky është një lajm që bie ndesh me paketimin që i bën Rama ëndrrës europiane, në funksion të 11 majit.
Në ato pak raste kur gazetarët i kanë kujtuar faktet kokëforta që i çmontojnë sloganet e përtypura nëpër fushatë, Edi Rama bën atë që di më mirë: nxjerr kasetën e monologut me “bufë”, “zhapikë”, “kënetë”, “gjarpërinj” dhe epitetet e tjera të njeriut që nuk i ka mbetur më asnjë argument. Sepse është më e lehtë të prodhosh në Photoshop një pasaportë europiane, sesa të ndërtosh një shtet, qytetarët e të cilit nuk kanë nevojë të ëndërrojnë për asnjë pasaportë të huaj. Por sigurisht që kjo nuk mund të ndodhë kur jeton në shtetin më të korruptuar i Europës, aty ku sa më të bukura të jenë ëndrrat e fushatës, aq më i hidhur del realiteti pas zgjedhjeve./Lapsi.al
Albania
Viti 2026/ BIRN: Drejtësia do të jetë sërish kryefjala
Viti 2026 po e gjen Shqipërinë në një udhëkryq të ri sa i përket raporteve të politikës me drejtësinë, ndërkohë që vendi pret të avancojë në rrugën e përmbushjes së kushteve për anëtarësim në Bashkimin Europian me sundimin e ligjit si gurthemeli në këtë proces.
Ndryshe nga ç’kishte premtuar, kryeministri Edi Rama e mbylli vitin 2025 duke bërë avokatinë publike të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që po përballen me një mal akuzash për manipulim tenderash me Prokurorinë e Posaçme. Megjithatë, mbetet ende e paqartë se si do të pozicionohet ai ndaj kërkesës për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila fle në sirtarët e Kuvendit që prej 16 dhjetorit.
Në kundërshtim me rregulloren dhe praktikën e mëparshme parlamentare, socialistët po fitojnë kohë duke shtyrë vendimmarrjen për Ballukun në janar, edhe pse zyrtarja e lartë akuzohet për manipulim të tenderave me vlerë qindramilionë euro dhe kërcënim të dëshmitarëve.
Më herët, Rama bëri një betejë në Gjykatën Kushtetuese në mbrojtje të Ballukut, duke ngrirë përkohësisht një vendim për pezullimin e saj nga detyra, ankimim që pritet të marrë përgjigje përfundimtare më 22 janar nga kjo gjykatë nëse është i bazuar në Kushtetutë apo jo.
Çështja “Balluku” nuk është e vetmja sfidë në oborrin e kryeministrisë, pasi kryeministri Rama i doli në krah edhe Mirlinda Karçanajt, drejtoreshës jetëgjatë të AKSHI, e akuzuar si bashkëpunëtore e një grupi të strukturuar kriminal në manipulimin e tenderave për të ashtuquajturën “Shqipëria digjitale”.
E ndërsa goditjet e SPAK-ut ndaj zyrtarëve të lartë dominuan vitin që po lëmë pas, ekspertët e politikës paralajmërojnë se edhe viti i ri do të ketë sërish në fokus përballjen e politikës me drejtësinë.
Rigels Xhemollari, drejtor i organizatës “Qëndresa Qytetare”, parashikon një rritje të presionit mbi organet e drejtësisë gjatë vitit 2026.
“Drejtësia – tema dominuese e vitit 2025 – pritet të mbetet në qendër të vëmendjes edhe në fillim të vitit 2026; Nga njëra anë, do të vijojë përballja e SPAK me korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërsa nga ana tjetër pritet një intensifikim i presioneve politike, mediatike dhe ekonomike ndaj strukturave të drejtësisë, duke e kthyer betejën për sundimin e ligjit në një nga provat më të forta për shtetin shqiptar,” tha Xhemollari.
Edhe Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike rendit si dy zhvillimet më të rëndësishme të vitit ecurinë e hetimeve të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë si dhe ecuria e procesit të integrimit.
Por ai beson se tensioni në rritje anti-SPAK nuk do të prekë punën e organeve të reja të drejtësisë, pavarësisht se është në interesin e të dyja palëve politike.
“Interesi anti-SPAK bashkon liderët e qeverisë dhe opozitës, por është i pamjaftueshëm për të penguar avancimin e tyre, në konflikt interesi dhe de facto, një tregues më shumë për nevojën për hetime edhe më të avancuara dhe në nivele edhe më të larta,” tha Krasniqi për BIRN.
Në këtë kontekts, sipas tij, është me rëndësi që “SPAK e GJKKO të ruajnë integritetin profesional dhe të përfundojnë gjykimin e disa dosjeve VIP, ku bëjnë pjesë politikanët në masë sigurie dhe ata tashmë nën hetim zyrtar”.
Ecuria e negociatave me Bashkimin Europian do të varet gjithashtu nga sjellja e politikës ndaj drejtësisë dhe funksionimi i parlamentit.
Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë shtyllat kryesore ku bazohet ecuria e afrimit të Shqipërisë me BE-në, ndërsa teknikisht këto dy kritere bëjnë pjesë në grup-kapitullin e parë të negociatave, që sipas premtimeve të kryeministrit Rama, synohet të mbyllet në 2027-ën me gjithë pjesën tjetër të kapitujve.
Për Krasniqin, ky proces pritet të jetë teknik, pa përfshirje të publikut.
“Viti 2026 do na tregojë se procesi i negociatave favorizon qeveritë në detyrë, sepse kërkon stabilitet dhe trajtohet si çështje shtetërore, pa pjesëmarrjen publike,” thotë ai, duke parashikuar se “ashtu siç po ndodh tani, ligje të shumta pritet të kalojnë pa u dhënë rëndësi standardeve parlamentare, cilësisë së tyre dhe jetësimit në praktikë”
Edhe Xhemollari e sheh procesin e integrimit si një proces teknik nga pikëpamja e plotësimit të detyrimeve që lindin nga negociatat, ndërsa sfida reale e qeverisjes sipas tij do të lidhet me përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Në aspketin teknik, hapja e të gjithë kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian gjatë vitit 2025 pritet të zhvendosë fokusin e qeverisë drejt përmbushjes formale të detyrimeve teknike dhe dokumentare që burojnë nga procesi i integrimit,” thotë ai.
Në planin politik, Xhemollari konsideron si “pataten e nxehtë” shqyrtimin e heqjes së imunitetit të Ballukut nga Kuvendi, çështje që do të nisë punimet e sesionit të ri. Ndërsa në afatgjatë, ai parashikon si sfidë përballjen me “një nga periudhat më të ndërlikuara të reformimit, ku në tryezë do të jenë ndryshime të rëndësishme zgjedhore dhe territoriale”.
Debati për përbërjen e sistemit elektoral, financimin e fushatave elektorale dhe balancat e pushtetit pritet të shoqërohet me tensione të forta politike dhe përplasje institucionale edhe gjatë vitit 2026.
Këto sfida përballen me një parlament të dobët dhe tension politik, që sipas Krasniqit pritet të vazhdojë edhe në vitin e ri.
“Opozita nuk ka potencial për reformim dhe ndryshime, qeveria nuk ka agjendë reformash dhe as shenja reflektimi nga gabimet e të kaluarës dhe ato aktuale,” tha Krasniqi.
“Në këtë mënyrë, viti 2026 pritet të jetë shtojcë e aktualitetit politik të 2025, pa ngjarje, pa zhvillime të rëndësishme dhe një tjetër shans i humbur tranzicioni,” përfundoi ai.
Reporter.al
Albania
Bixhoz dhe drogë në një godinë trekatëshe në mes të Lezhës
Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fishat” në qytetin e Lezhës, duke goditur një kazino të paligjshme që funksiononte në një godinë trekatëshe në bulevardin “Gjergj Fishta”.
U arrestuan në flagrancë përgjegjësi i kazinosë shtetasi Bledar Arapi, u shpall në kërkim organizatori i dyshuar shtetasi Elger Uka, i cili kishte marrë me qira objektin dhe e kishte përshtatur për aktivitetin e paligjshëm.
Po ashtu, u proceduan penalisht 15 persona të tjerë që u kapën duke luajtur lojëra fati në ambientet e kazinosë.
Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi 15 makineta lojërash fati, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi, disa doza kokaine, si dhe shuma të konsiderueshme parash në lekë, euro dhe dollarë.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur menjëherë hetimin disiplinor për disa drejtues dhe punonjës policie, të cilët nuk kanë marrë masa për evidentimin dhe goditjen e kësaj paligjshmërie.
Albania
10 gënjeshtrat e vitit 2025
2025 ishte vit zgjedhor, dhe si çdo vit zgjedhor në Shqipëri, premtimet ishin të shumta dhe të përsëritura. Në mbyllje të vitit, faktet flasin për kantierë të pambyllur, projekte të dështuara rrugësh, afate të shtyra dhe qytetarë të zhgënjyer.
Treni elektrik që nuk u nis
Në prezantimet 3D të qeverisë, Tirana lidhet me Durrësin dhe Rinasin nga një tren modern elektrik. Në terren, prej më shumë se katër vitesh ekziston vetëm një kantier që s’po mbaron. Me disa afate të shkelura, hekurudha Tiranë–Durrës–Rinas është ende larg përfundimit. Afati i ri i operimit të trenit elektrik është fundi i vitit 2026.
Aeroporti i Vlorës pa fluturime
Në pranverë, skenari i njohur i “fluturimit elektoral” u rikthye prag zgjedhjesh me zbritjen e avionit të parë testues në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Qeveria premtoi se aeroporti i Vlorës do të niste fluturimet këtë vit. Por, faktet tregojnë se në realitet fluturimi i vetëm mbeti ai testues i 8 majit.
Nafta ‘arabe’ e Shpiragut
“Naftë premium si e Arabisë Saudite” kështu e prezantoi qeveria zbulimin e naftës në Shpirag. Por testet e kompanisë SHELL rezultuan zhgënjyese. Gjigandi holandez është drejt largimit nga Shqipëria. Fondi Sovran mbeti një ëndërr e bukur bashkë me premtimin për epokë të re ekonomike nga nafta në Shpirag.
24 orë ujë të pijshëm
Që nga 2013, ky është refreni i çdo fushate elektorale por vendi ende vuan nga mungesa e furnizimit me ujë 24 orë. Afati i ri për të njëjtin premtim është shtyrë në 2030. Këtë vit, gjatë fushatës zgjedhore kryeministri Edi Rama premtoi se në 2030-ën 100% të qyteteve dhe 80% e fshatrave do të mbulohen me ujë 24 orë.
Shqipëria pa avion zjarrfikës
Premtimi i bërë nga kryeministri Edi Rama gjatë fushatës elektorale, se Shqipëria do të kishte dy avionë zjarrfikës të gatshëm për sezonin veror, rezultoi i pambajtur. Këtë verë vendi kaloi një situate dramatike për shkak të zjarreve që shkrumbuan mbi 60 mijë hektarë me pyje dhe kullota. Por të vetmit avionët zjarrfikës ishin ata të ardhur nga vendet e BE-së përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.
Dëmshpërblimet për Gramshin dhe Delvinën
Qeveria premtoi dëmshpërblim dhe rindërtim të banesave për të gjithë banorët e zonave të prekura nga zjarret këtë verë. Në fund të vitit, ata ende presin përmbushjen e këtij zotimi. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) konfirmoi për “Faktoje.al” se inventari me shtëpitë e djegura dhe bagëtitë e humbura ende nuk është përmbyllur.
Llogaria elektorale e 450 shkollave të reja
Në nisje të fushatës, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria e tij kishte ndërtuar 450 shkolla të reja në dhjetë vite. Faktet tregojnë se janë rindërtuar ose zgjeruar vetëm 43 institucione arsimore. Shifra propagandiste e Ramës përfshin çdo ndërhyrje, nga riparimi i tualeteve tek lyerja e mureve.
Odisea e rindërtimit pas tërmetit
6 vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit është afër mbylljes financiare, por jo i përfunduar në terren. Qeveria ka shpenzuar 131 miliardë lekë dhe raporton se 90% e projekteve janë ndërtuar. Zvarritjet vijojnë të mbajnë pezull ende qindra familje që janë pa çati mbi kokë. Afatet shtyhen vit pas viti dhe çdo 26 nëntor sjell një tjetër justifikim.
‘Flamuri Blu’ për plazhet shqiptare
Ministria e Mjedisit premtoi se Shqipëria do të arrinte standardin europian të “Flamurit Blu” për cilësinë e ujërave larës. Por raportet e BE-së na rendisin në vendin e fundit në Evropë për cilësinë e ujërave bregdetare. Shkaku kryesor? Ujërat e zeza të patrajtuara që derdhen në det, mungesa e impianteve të trajtimit dhe menaxhimi i dobët mjedisor.
Legalizimet pa fund
Ky është premtimi më i vjetër i ricikluar. Çdo zgjedhje sjell një valë të re legalizimesh të premtuara. Por procesi nuk ka fund. Dosjet shtohen, afatet shtyhen, dhe qytetarët mbeten peng të një premtimi që nuk po përmbushet. Që nga nisja e procesit të legalizimeve në vitin 2006 dhe deri më tani, legalizimet janë përdorur si mjet i rëndësishëm për mbështetje politike, sidomos në fushata zgjedhore.
Përfundim
Në këtë artikull përmblodhëm vetëm 10 rrena, por gjatë vitit 2025 Faktoje ka verifikuar gjithsej 87 premtime të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. Nga këto, 52 premtime rezultuan të pambajtura, vetëm 6 u mbajtën plotësisht, ndërsa 29 u realizuan pjesërisht. Verifikimet nxjerrin në pah hendekun mes premtimeve dhe realitetit, veçanërisht në një vit zgjedhor si ky që po lëmë pas.
Faktoje.Al
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania5 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK5 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
