Bixhoz dhe drogë në një godinë trekatëshe në mes të Lezhës

albnews
By
1 Min Read

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fishat” në qytetin e Lezhës, duke goditur një kazino të paligjshme që funksiononte në një godinë trekatëshe në bulevardin “Gjergj Fishta”.

U arrestuan në flagrancë përgjegjësi i kazinosë  shtetasi Bledar Arapi, u shpall në kërkim organizatori i dyshuar shtetasi Elger Uka, i cili kishte marrë me qira objektin dhe e kishte përshtatur për aktivitetin e paligjshëm.

Po ashtu, u proceduan penalisht 15 persona të tjerë që u kapën duke luajtur lojëra fati në ambientet e kazinosë.

Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi 15 makineta lojërash fati, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi, disa doza kokaine, si dhe shuma të konsiderueshme parash në lekë, euro dhe dollarë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur menjëherë hetimin disiplinor për disa drejtues dhe punonjës policie, të cilët nuk kanë marrë masa për evidentimin dhe goditjen e kësaj paligjshmërie.

Share This Article