Hadija, vogëlushe trevjeçare nga Azerbajxhani, ka mbetur jetime. Nëna, babai dhe motra e saj e madhe u vranë nga një raketë e forcave armene që ra mbi shtëpinë e kësaj familjeje.
“Ajo më thotë: “Gjysh, a mund të shkosh ta marrësh nënën”, por si mund ta marr atë”, thotë babai i gruas që u vra nga sulmi me raketë, duke treguar për pyetjen emocionale të mbesës së vogël.

Armenia dhe Azerbjaxhani janë duke luftuar për ta marrë kontrollin në rajonin e kontestuar të Nagorno Karabakut, i cili ndërkombëtarisht njihet si pjesë e territorit azer, por që kontrollohet nga azerët etnikë.
Megjithatë, nga pasojat e konfliktit po e pësojnë edhe civilët e të dyja palëve, të cilët jetojnë jashtë kësaj zone, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Gjyshi i Hadijës tregon se si e kishte parë shtëpinë e shkatërruar nga raketa e forcave armene. “Shpejt e mora veturën për të shkuar e për të parë se çfarë kishte ndodhur. Kur shkova te dera e oborrit, bota m’u shemb. Nuk kishte derë, nuk kishte rrethojë, s’kishte asgjë, vetëm errësirë”, thotë Nizami Agaev.https://www.bbc.com/news/av/embed/p08w30lv/54650502
“I pyeta se çfarë ka ndodhur me njerëzit që ishin brenda dhe më thanë të mos brengosem, sepse askush nuk ka vdekur aty. E kuptoj pse (më thanë ashtu). Ata nuk dëshiruan që ne të jemi të frikësuar”, shton ai.

Më pas, zotëria Agaev tregon se si kishte bredhur nëpër spitale për t’i gjetur familjarët. “Shkuam në të gjitha spitalet, nuk mund t’i gjenim. Ende kisha shpresë, por ata s’ishin askund, prandaj shkuam për të kërkuar në morg. Por, kur u kthyem te shtëpia doli se ata ishin të mbuluar nga rrënojat”, tha burri i pikëlluar.
“O Zot, nuk di asgjë (çka ka ndodhur) më pas”, thotë ai.

Nëna e Hadijes punonte në një çerdhe fëmijësh që ndodhej afër shtëpisë së saj. Çifti ishte martuar para vetëm pesë vjetëve.
“Vajza ime kishte shumë ëndrra, por ajo nuk mundi t’i realizonte”, thotë gjyshja e Hadijës, Sevich Agaeva.

Copat e rrënojave i hynë në sy vajzës së vogël dhe ajo nuk mundi t’i hapte sytë për tri ditë.

“Çfarë dëshiroj për mbesën time? Dëshiroj që të rritet e të bëhet zonjë. Zoti u kujdestë për të dhe e ndihmoftë! Zoti e ruajt mbesën tonë në mënyrë që ne ta shohim vajzën tonë në të”, tha gjyshja e Hadijës.
Konflikti i armatosur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit filloi më 27 shtator. Pavarësisht nënshkrimit të një armëpushimi në Moskë para disa ditësh, palët e kanë shkelur marrëveshjen dhe i kanë vazhduar luftimet. Në mesin e të vrarëve, përpos ushtarëve, ka edhe shumë civilë nga të dyja palët.