Tri fitore, dy barazime dhe një humbje/ Kush shkëlqeu dhe kush i shënoi golat e Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kombëtarja e Kosovës ka pasur një paraqitje mbresëlënëse në fazën e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 me një epilog prej tri fitoresh, dy barazimesh dhe një humbje, duke siguruar vendin e dytë në Grupin B dhe një vend në ‘play-off’.

Në këto ndeshje, skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda demonstroi konsistencë dhe karakter, sidomos në sfidat me Suedinë dhe Slloveninë.

Dy nga momentet kyçe ishin fitorja 1-0 në udhëtim te Suedia falë golit të Fisnik Asllanit dhe 2-0 si mysafire ndaj Sllovenisë, në të cilën Fisnik Asllani shënoi në minutën e 6-të, ndërsa goli i dytë erdhi nga një autogol i mbrojtësit slloven, Zan Karnicnik, në minutën e 64-të.

Po ashtu, Kosova mposhti Suedinë me rezultat 2-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku golat u shënuan nga Elvis Rexhbeçaj (26’) dhe Vedat Muriqi (42’), ky i fundit në një kundërsulm perfekt të ndërtuar së bashku me Albion Rrahmanin.

Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme, pasi vendosi Kosovën në rrugën drejt ‘play-off’-it.

Nga ana tjetër, humbja e vetme erdhi në përballjen me Zvicrën – një kundërshtar i fortë në grup – duke treguar se Kosova ka ende punë për t’u afruar me nivelet e ekipeve kryesuese. Megjithatë, diferenca e golave nuk e pengoi atë të arrijë vendin e dytë dhe të sigurojë fazën ‘play-off’.

Përfundimisht, Fisnik Asllani ishte ‘ndriçuesi’ në sulm, me golin e tij vendimtar në Suedi, por edhe njërin gol në Slloveni, ndërsa Vedat Muriqi vazhdon të jetë figura kryesore dhe motori në fazën ofensive.

Një tjetër lojtar që la mbresa në këto kualifikuese padyshim se ishte edhe mbrojtësi i majtë Dion Gallapeni, por pa harruar edhe Lumbardh Dellovën, Arijanet Muricin dhe Florent Muslijan, të cilët ishin tre lojtarët me notën më të mirë mesatare në këto kualifikuese.

Shkëlqim dhe rritje niveli të skuadrës ofruan edhe dy prurjet e reja, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, të cilët ofruan siguri me performancat prej yjesh.

Falë këtyre paraqitjeve, Kosova shkel hap pas hapi drejt ëndrrës së pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2026 – për herë të parë në histori. 

Share This Article