Kuvendi i Kosovës ratifikoi të enjten e 23 shkurtit tri marrëveshjet e dala nga Procesi i Berlinit, e të cilat ishin nënshkruar në fillim të nëntorit të vitit 2022 nga liderët e gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor.
Kuvendi i Kosovës miratoi të tri këto marrëveshje, atë për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, në të cilën marrëveshje përfshihet edhe lëvizja me letërnjoftime me Bosnjë dhe Hercegovinën.
Po ashtu u miratua Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor si dhe marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.
Këto marrëveshje ishin miratuar në Qeverinë e Kosovës më 8 shkurt 2023.
Pas ratifikimit të marrëveshjeve nga Kuvendi, kryeministri i vendit, Albin Kurti i ka falënderuar deputetët për miratimin e këtyre marrëveshjeve.
Ai i bëri thirrje edhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, që të miratojnë marrëveshjet.
Ndërkaq, Tomas Szunyog, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një postimi në Twitter ka përgëzuar Kosovën për ratifikimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare që janë derivat i Procesit të Berlinit.
“Urime Kosovës që ratifikoi ndër të parat tre marrëveshjet e Procesit të Berlinit me një mbështetje të madhe në Kuvend” ka shkruar Szunyog në Twitter.
Szunyog ka thënë se këto tre marrëveshje ndërkombëtare do të mundësojnë lëvizjen e lirë me letërnjoftime dhe njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe kualifikimeve profesionale brenda Ballkanit Perëndimor.
Ndryshe, tre marrëveshje thelbësore rajonale janë nënshkruar më 03.11.2022 në Berlin në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, të cilat do ta thellojnë bashkëpunimin mes shteteve nga Ballkani Perëndimor.
Nënshkrimi i tri marrëveshjeve nga liderët e Ballkanit Perëndimor, nëntor 2022
Marrëveshjet e nënshkruara nga shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë për qëllim integrimin rajonal dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të rajonit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Bosnje e Hercegovinës-Zoran Tegeltija, Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe Serbisë, Ana Bërnabiq kanë nënshkruar tri marrëveshje për lëvizje të lirë me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.
Marrëveshja për njohjen e letërnjoftimeve lehtëson kushtet e udhëtimit në thjeshtësimin e procedurave administrative për hyrje, transit dhe qëndrim të shkurtër vetëm me letërnjoftim, siguron trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e rajonit dhe heq të gjitha vizat ekzistuese në Ballkanin Perëndimor.
Me marrëveshjen për njohjen e diplomave universitare vendosen rregulla dhe procedura të përbashkëta për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, mundësohet lëvizshmëri e studentëve dhe stafit akademik në Ballkanin Perëndimor, shkurtohet afati për sjelljen e vendimit për njohje në 14 ditë dhe hiqen tarifat ekzistuese për studentët për dorëzimin e kërkesave për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë. Kjo marrëveshje vlen për universitetet shtetërore dhe gradualisht do të shtrihet edhe në ato private.
Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale lehtëson lëvizjen e profesionistëve në të gjithë rajonin dhe mundëson ofrimin e shërbimeve për mjekët, stomatologët dhe arkitektët në Ballkanin Perëndimorë. Ky dokument gjithashtu krijon bazë për negociata për katër profesionet e tjera të rregulluara (akushere, infermiere, farmaciste dhe kirurg veterinar) në periudhën e ardhshme.
Pas dy vitesh negociata, marrëveshjet u miratuan nga ministrat e Punëve të Jashtme të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në takimin e organizuar nga qeveria gjermane më 21 tetor si pjesë e Procesit të Berlinit.
Procesi i Berlinit është i format i takimeve vjetore të cilat i inicioi Qeveria gjermane, në kohën e kancelares Angela Merkel në vitin 2014, kur në Berlin u mbajt Konferenca për Ballkanin Perëndimor.
Qëllimet e Procesit të Berlinit është përforcimi dhe avancimi i bashkëpunimit ndërmjet gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor me mbështetjen e Komisionit Evropian, në pjesën e procesit të reformave, tregjet e përbashkëta, pranimi i ndërsjellë i kualifikimeve profesionale dhe lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, me qëllim që të kontribuohet në rritjen e përshpejtuar rajonale dhe ekonomike dhe zhvillim të rajonit dhe integrimit të tij në BE.
Nisma kryesisht përqendrohet në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe të brendshme në rajon dhe përmirësim të bashkëpunimit ekonomik, si bazë e zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit.