Tritan Shehu, ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-deputeti i PD thotë se kontrata e vaksinave e qeverisë shqiptare me Pfizer shpreh përbuzje dhe hakmarrje për një popull.
Përmes një postim në “Facebook”, Shehu sjell një shprehje të mbretit Louis XV “mbas meje shkatërrimi” për të thënë se shkatërrimin kryeministri në ikje e ka sjellë tashmë.
Sipas tij, do vijnë disa vaksina vetëm deri në fund të shkurtit si “fishekzjarrë” elektoralë, për rreth 20 mijë persona, kur Shqipërisë i duhen 5,5 milionë doza për 2,4 milionë qytetarë.
Postimi i plotë:
Kontrata Rama për Vaksinat Covid-Kontrata e “ikjes” së tij!
“Après mois le déluge” (mbas meje shkatërrimi), kështu deklaronte dikur Louis XV; në fakt në Shqipëri “Shkatërrimin” kryeministri në ikje e ka tashmë sjellë.
Kështu po vepron Rama edhe me këtë kontratë “sekrete” për vaksinat!
Një kontratë që shpreh përbuzje e hakmarrje për një popull, vetëm se qytetarët janë të vendosur të çlirohen prej tij, tipike kjo për papërgjegjshmërinë, dështimin, duke tentuar të lërë shqiptarët edhe pa vaksina.
Do vijnë sipas tij disa vaksina vetëm deri në fund të shkurtit si “fishekzjarrë” elektoralë, për rreth 20 mijë persona, kur Shqipërisë i duhen 5,5 milionë doza për 2,4 milionë qytetarë.
Të tjerat e “Kontratës”, për më pak se 250 mijë njerëz do të fillojnë të vijnë nga vjeshta a dimri…duke u zvarritur dhe gjatë 2022!!!
Pra mbas “ikjes” së tij ai po përgatit dhe në këtë fushë për shqiptarët “Asgjë”, shkatërrim e fund; cinizëm pa kufi ky ndaj një populli, që duhet të paguajë pse e detyroi të largohet.
Dhe nën këtë furi braktisje për njerëzit ai i sulet edhe partnerëve, miqve tanë më të mirë, BE e Perëndimit, me shpresë se kështu do t’i largojë nga ne, për të na lënë të vetëm nën goditjen e hakmarrjes së tij.
Por fatmirësisht gabon, shqiptarët do të kenë me qeverinë demokratike jo vetëm një program vaksinimi të gjerë e të mirëstudiuar, por dhe të mbështetur në vaksina e infrastrukturë, të koordinuar edhe me partnerët.
Koha e denigrimeve dhe e pa përgjegjshmërive shpejt përfundon tashmë.