Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Britani, ku një fëmijë 12-vjeçar është vrarë me thikë në një sulm të rastësishëm.
Sipas mediave vendase, viktima Leo Ross, po kthehej në shtëpi nga shkolla kur u sulmua nga një i mitur 14-vjeçar, i cili e goditi me thikë në stomak në parkun Shire Country, në Birmingham.
Autori i krimit është kapur nga kamerat e sigurisë duke lëvizur me biçikletë në park, teksa po largohej nga vendngjarja për t’u kthyer në shtëpi. Pas sulmit fatal ndaj 12-vjeçarit, ai hodhi thikën në një lumë aty pranë.
Më pas, i mituri telefonoi policinë, duke pretenduar se kishte gjetur rastësisht trupin e pajetë të viktimës në rrugë.
“E pashë atë dhe pashë këtë grua, ajo po ecte poshtë, kështu që i thashë t’ju telefononte juve,” u tha ai oficerëve.
Kur u pyet nëse kishte parë ndonjë person tjetër pranë viktimës, ai deklaroi: “E kam parë dhe pastaj, ndërsa po shikoja… nuk e preka sepse kjo mund të më fuste mua në këtë çështje. Por e kam parë atë, një kalimtare femër, ajo po ecte atje. Kështu që pastaj erdha dhe i thashë të telefononte policinë.”
Autori doli sot para Gjykatës së Kurorës në Birmingham, ku u shpall fajtor për vrasjen e të miturit. Ai pranoi gjithashtu dy akuza për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore, si edhe për dy sulme të mëparshme ndaj personave të ndryshëm.

