Technologji
Tronditet Bosnja, Prokuroria lëshon urdhër për ndalimin e Dodikut, kryeministrit dhe kryeparlamentarit të vendit
Zyra e Prokurorit të Bosnjes e Hercegovinës i ka lëshuar urdhër policisë për ndalimin e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Paralmentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq, me qëllim që të merren në pyetje, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë.
Urdhri për ndalimin e Dodikut, Vishkoviqit dhe Stevandiqit u lëshua nga prokurori i Prokurorisë së Bosnjës, Çazim Hasanpahiq. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”.
Njoftimi vjen në ditën kur autoritetet në Republikën Sërpska planifikojnë që entitetin në Bosnje e Hercegovinë ta përcaktojnë si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën për vetëvendosje, të krijojnë ushtrinë e vet dhe të heqin Këshillin e Popujve, sipas një drafti të ri të Kushtetutës të Republikës Sërpska, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës.
Ligji për procedurën penale i Bosnje dhe Hercegovinës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar për dhënien e dëshmisë, në rast se personi i thirrur në institucionet gjyqësore refuzon ta bëjë këtë.
Zyra e Prokurorit ka dorëzuar urdhrin për ndalim te policia gjyqësore dhe ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Brendshme e Republikës Sërpska dhe nga Agjencia për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), raportoi radioja në Republikën Sërpska.
Drejtori i gjykatës policore në Republikën Sërpska, Zhellko Dragojeviq, i tha televizionit të Republikës Sërpska se kjo polici nuk ka dhe nuk mund të lëshojë urdhëra të ndalimit sepse kjo gjë është brenda juridiksionit të SIPA-së dhe Gjykatës Policore të Gjykatës së Bosnjës.
Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska parashihet të diskutojë më 12 mars draft-kushtetutën e këtij entiteti më 12 mars, që paraqet edhe një lëvizje tjetër secesioniste nga autoritetet e këtij entiteti, pasi u miratuan ligje që ndalojnë funksionimin e institucioneve gjyqësore dhe hetuese të Bosnjës në territorin e Republikës Sërpska. Këto ligje hyn në fuqi javën e kaluar.
Në një seancë më 12 mars, deputetët në Republikën Sërpska po ashtu pritet të diskutojnë për krijimin e një gjykate speciale dhe zyre të prokurorisë për të “mbrojtur rendin kushtetues”.
Këto ligje jokushtetuese janë mriatuar pasi që Dodiku u dënua, në shkallë të parë, nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të postit të presidentit për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Më 27 shkurt, Parlamenti në RS miratoi ligjet jokushtetuese dhe më 5 mars ato u dekretuan nga Dodiku.
Ndalimi i funksionimit të institucioneve shtetërore të drejtësisë mbi një pjesë të territorit të Bonjës janë në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit dhe më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës pezulloi zbatimin e këtyre ligjeve.
Dodik ka thënë se ligjet do të zbatohen pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Miratimi i këtyre ligjeve është dënuar nga zyrtarë të lartë botërorë, përfshirë nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe disa ambasada të huaja në Bosnje e Hercegovinë.
Parlamenti Evropian do të diskutojë kërcënimet për ndarje në Bosnje gjatë seancës plenare të 12 marsit.
Kushtetuta e Bosnjës është neni 4 i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje më 1995. Sipas këtij dokumenti, shteti mund të marrë juridikisionin “në ato çështje për të cilat arrihet një marrëveshje mes entiteteve”.
Praktikisht, të gjitha kompetencat që autoritetet e RS duan të “rikthejnë” në nivelin e entitetit, janë transferuar në nivelin shtetëror përmes votimit në të dyja dhomat e Parlamentit të Bosnjës, përfshirë edhe votat e përfaqësuesve të RS-së.
Sipas Kushtetutës së Bosnjës, Republika Sërpska dhe Federata e Bosnje e Hercegovinës janë entitete që përbëjnë Bosnjë dhe Hercegovinën dhe nuk kanë statusin e një shteti. Po ashtu, sovraniteti dhe integriteti territorial, sipas Kushtetutës shtetërore, janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnjës dhe jo për entitetet.
REL
Albania
Sulmet digjitale në 2025/ Më të sofistikuara dhe më të organizuara
Sulmet digjitale në Shqipëri kanë ardhur duke u sofistikuar përgjatë 12 muajve të fundit. Shpeshherë ato ndodhin në forma të fshehta, por pasojat në integritetin e të dhënave apo sigurinë e qytetarëve janë të dukshme dhe problematike.
Një monitorim i BIRN për hapësirën digjitale në Shqipëri për periudhën kohore shtator 2024-gusht 2025 identifikoi 115 shkelje në total, ku kryesojnë përmbajtjet e dëmshme dhe sjelljet kërcënuese, të ndjekura nga shkeljet e të drejtave ekonomike dhe aseteve digjitale.
Më të prekurit nga këto shkelje janë qytetarët dhe grupet e aktivistëve, ndërkohë që autorët e këtyre sulmeve janë një pjesë të paidentifikuar.
Transferimi i pothuajse të gjitha shërbimeve publike në platformën digjitale qeveritare “e-Albania” përgjatë viteve të fundit është shoqëruar jo vetëm me avantazhe për qytetarët, por edhe me rrisqe përsa i përket mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.
Sipas ekspertëve, shkeljet digjitale më të rrezikshme janë përqendruar në sulmet ndaj infrastrukturave kritike të vendit, dezinformimin dhe manipulimin zgjedhor, mashtrimet financiare digjitale, si edhe sulmet online ndaj aktivistëve dhe gazetarëve.
Orkidea Xhaferaj, hulumtuese dhe drejtuese e Departamentit të Politikave Digjitale dhe Inovacionit pranë SCiDEV, i tha BIRN se prej vitesh ka një trend rritës të sulmeve kibernetike në Shqipëri, gjë që reflekton trendin global apo tranformimin digjital që po ndodh në vend.
“Sulmet ndaj infrastrukturave kritike janë më të rrezikshmet, pasi impaktojnë shërbimet publike, dhe së dyti sigurojnë akses të keqbërësve në të dhënat personale dhe sensitive të qytetarëve në masë,” i tha BIRN Orkidea Xhaferaj, duke përmendur si shembull sulmin ndaj Bashkisë Tiranë në qershor 2025, që la pa shërbim mijëra qytetarë.
Daniel Prroni, hulumtues pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shtoi më tej se një tjetër trend shkeljesh digjitale në 2025 konsiston pikërisht në përhapjen e dezinformimit gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
“Një tjetër rrezik gjatë këtij viti ka qenë përhapja e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore përmes përmbajtjeve të gjeneruara me AI, pa etiketime apo transparencë, dhe përdorimin të bot-eve për të amplifikuar mesazhe politike”, i tha BIRN Daniel Prroni.
Fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të Majit 2025 u karakterizua nga një sërë shkeljesh etike në hapësirën online.
Edhe pse partitë kryesore të vendit nënshkruan Kodin e Etikës për Fushatën Digjitale, shumica e tyre përdorën dhe shpërndanë video të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale që patën si efekt bullizëm kibernetik dhe dezinformim ndaj kundërshtarëve politikë. Gjithashtu më shumë se 50 faqe të ndryshme anonime online u përdorën për propagandë politike.
Ekspertët pranojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025 të dhënat personale dhe financiare të qytetarëve janë ndikuar ndjeshëm prej një serie sulmesh “phishing” që kanë shënjestruar financat e tyre, sulme të sofistikuara të cilat kamuflohen sikur vijnë prej institucione reale të vendit.
“Mashtrimet digjitale dhe sulmet ‘phishing’ janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga komunikimet legjitime të institucioneve apo operatorëve ekonomik legjitim përmes imitimit të domain-eve të institucioneve shtetërore dhe kompanive private”, i tha BIRN hulumtuesi i IDM, Daniel Prroni.
Të njëjtën gjë konfirmon edhe ekspertja Xhaferaj, sipas të cilës skemat e mashtrimit financiar kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Shitja apo rrjedhja e të dhënave personale nga sulmet phishing ndaj qytetarëve rrit vulnerabilitetet për sulme të tjera ndaj tyre”, i tha BIRN Orkidea Xhaferaj.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar disa herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj këtyre tentativave të mashtrimit që targetojnë të dhënat dhe financat e tyre.
Një kategori tjetër që janë prekur nga shkeljet në sferën digjitale janë aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, apo anëtarët e komuniteteve vulnerabël, që vijojnë të jenë shënjestër e sulmeve të cilat jo pak herë konsistojnë edhe në kërcënime me jetë apo fushata linçimi që ndikojnë ndjeshëm në mirëqënien e këtyre personave.
Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, Shqipëria renditet e 80 nga 180 vende, duke u theksuar se gazetarët janë viktima të akteve të indimidimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.
Prroni i tha BIRN se këto sulme ndaj aktivistëve apo gazetarëve vijojnë të mbeten një shqetësim për lirinë e shprehjes.
“Kërcënimet dhe bullizmi kibernetik gjithashtu kanë përbërë një volum të lartë të shkeljeve. Qytetarët e angazhuar në publik dhe grupet e margjinalizuara janë sulmuar vazhdimisht online, shpesh nga njerëz të paidentifikuar”, tha Prroni për BIRN.
“Në thelb, këto sulme kanë synuar të krijojnë një klimë frike dhe presioni që nxit vetëcensurën e gazetarëve dhe shkurajon pjesëmarrjen e qytetarëve në jetë publike”, shtoi ai.
Ekspertët janë të mendimit se ndërgjegjësimi i qytetarëve ndaj këtyre sulmeve është hapi kyç në adresimin e kësaj situate.
“Ndërgjegjësimi dhe rritja e kapaciteteve të qytetarëve për phishing dhe mashtrimet online mbetet kyç për adresimin e situatës”, i tha BIRN Xhaferaj.
Ajo shtoi se edhe forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike vendore duhet të jetë prioritet për mbrojtjen e infrastrukturave lokale dhe të dhënave të qytetarëve.
Edhe hulumtuesi Prroni nga IDM theksoi rëndësinë e përmirësimit të legjislacionit me mekanizma më efektive hetimi kundër mashtrimeve digjitale apo harmonizimin me rregulloret e BE-së përsa i përket përdorimin të platformave digjitale.
“Nevojiten përmirësime thelbësore të legjislacionit kundër mashtrimeve digjitale dhe mekanizma më efektivë hetimi”, i tha BIRN Prroni.
“Gjithashtu duhet punuar për harmonizimin e akteve të BE-së që rregullojnë mjedisin digjital, posaçërisht DSA-së në lidhje me sjelljen e platformave digjitale dhe Aktin e Inteligjencës Artificiale në lidhje me përdorimin dhe përhapjen e materialeve të gjeneruara nga AI”, përfundoi ai.
Reporter.al
Bota
Dronët zbulojnë virus vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut
Dronët e pajisur me teknologji të posaçme kanë ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë një virus potencialisht vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut, duke hapur një kapitull të ri në monitorimin e shëndetit të gjitarëve detarë.
Shkencëtarët fluturuan dronë të pajisur me pajisje të posaçme përmes pikëzave të nxjerra gjatë frymëmarrjes, ose “fryrjeve”, që krijohen kur këta gjigantë dalin në sipërfaqe për të marrë frymë.
Analizat zbuluan praninë e morbillivirusit cetacean, një virus shumë ngjitës që përhapet lehtësisht midis delfinëve, balenave dhe derrave të detit, duke shkaktuar sëmundje të rënda dhe vdekje masive.
Ky është konfirmimi i parë se virusi po qarkullon mbi Rrethin Arktik, duke paraqitur një kërcënim serioz për ekosistemet detare.
Sipas studiuesve, kjo metodë është një hap i madh përpara, pasi lejon monitorimin e balenave të gjalla pa i stresuar apo dëmtuar ato. Virusi mund të përhapet lehtësisht mes specieve dhe të udhëtojë nëpër oqeane, çka e bën edhe më të rrezikshëm.
Shkencëtarët shpresojnë se përdorimi afatgjatë i kësaj teknologjie do të ndihmojë në identifikimin e hershëm të kërcënimeve dhe në mbrojtjen më të mirë të jetës detare në një Arktik që po ndryshon me shpejtësi.
Bota
Plani sekret i Kinës në “zemër” të Himalajeve
Në një zonë të largët të Himalajeve, Kina po ndërton një sistem hidroenergjetik me vlerë 168 miliardë dollarë në lumin Yarlung Tsangpo, që pritet të prodhojë më shumë energji se çdo hidrocentral tjetër në botë. Projekti, i cili zbaton një rënie lartësie prej 2,000 metrash dhe përfshin tunele dhe stacione kaskade, synon të furnizojë energji për makinat elektrike dhe qendrat e inteligjencës artificiale, duke zvogëluar varësinë nga qymyri dhe emetimet e karbonit.
Megjithatë, ndërtimi ngre shqetësime të mëdha ekologjike dhe sociale, shkruan CNN. Zona e “Great Bend”, ku lumi ndryshon drejtim përreth maleve, është e pasur me biodiversitet, përfshirë specie të rrezikuara si tigri i Bengalit dhe panda e kuqe, dhe banorë vendas si Monpa dhe Lhoba mund të detyrohen të zhvendosen. Vlerësimet e ndikimit mbi ekosistemet dhe shoqëritë lokale mbeten të pasigurta, duke shtuar frikën se projekti mund të shkaktojë dëme të paparashikuara.
Projekti ngre gjithashtu tensione diplomatike. Lumi Yarlung Tsangpo bëhet Brahmaputra në Indi dhe Bangladeshi, duke mbështetur miliona banorë që varen nga peshkimi dhe bujqësia. Autoritetet indiane e kanë quajtur projektin një “bombë uji”, duke paralajmëruar për potenciale ndikime katastrofike në rast të kontrollit ose lëshimit të papritur të ujit. Marrëdhëniet midis Pekinit dhe New Delhit për lumenjtë transnacionalë janë tashmë të ndërlikuara dhe ndërtimi i hidrocentralit mund të tensionojë më tej situatën.
Kina ka theksuar se ka zbatuar masa të forta për mbrojtjen ekologjike dhe sigurinë inxhinierike, duke premtuar monitorim mjedisor dhe komunikim me vendet në vijën e poshtme të lumit. Por ekspertët paralajmërojnë se rreziqet janë të mëdha për shkak të lëvizjeve sizmike, reshjeve të paparashikueshme dhe përmbytjeve, si dhe pasojave për banorët dhe ekosistemet e Himalajeve.
Ndërsa Kina synon të kthejë Tibetin në një qendër të energjisë së pastër, projekti tregon sfidat mes zhvillimit teknologjik, sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së mjedisit, duke bërë që hidrocentrali i Yarlung Tsangpo të konsiderohet një ndër ndërmarrjet më ambicioze dhe kontroverse në historinë e vendit.
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 day agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Kosova18 hours agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
