Një ngjarje e rëndë ka tronditur të dielën pasdite qytetin e Kavajës. Sipas policisë, një person, ende i paidentifikuar, ka vrarë më arëm zjarri shtetasin Arjan Gosa. Ngjarja ka ndodhur në një lokal, ku Gosa po qëndronte. Policia bën të ditur se, paraprakisht, nga të dhënat e grumbulluara, dyshohet se “ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje”.
“Më datë 21.05.2023, rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin A. G. Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Paraprakisht nga të dhënat e grumbulluara dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Konflikti që dyshohet se çoi në hasmëri
Arjan Gosa, i cili u vra të dielën pasdite, dyshohet se është vëllai I Edmond (Armand) Gosës, i cili mbeti i vrarë me 29 mars 2023, pas një konflikti me Altin (Sali) Rexha. Të dy personat kishin ndryshuar emrin.
Ka qenë një konflikt i çastit që dyshohet se u bë shkak i krimi të dyfishtë të ndodhur në Kavajë të mërkure (29 mars), konflikti që nisi mes dy personave, fillimisht verbalisht në një lokal të qytetit, degradoi në përdorimin e armës së zjarri dhe thikës. Viktimë mbetën dy persona, me dy identitete.
Viktimat u identifikuan si Edmond Gosa dhe Altin Rexha, të dy 43 vjeç, ndërsa rezulton se të dy këta persona e kanë ndryshuar emrin, përkatësisht në Armand Gosa dhe Sali Rexha.
Pas sherrit Edmond Gosa, 43 vjeç, plagosi me thikë 43-vjeçarin Altin Rexha nga Kukësi, ndërsa ky i fundit është përgjigjur duke gjuajtur me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, ndërruan jetë në spital.