Donald Trump nuk e ka fshehur admirimin e tij për Richard Nixon, pavarësisht skandalit Watergate dhe largimit të tij me turp detyra.
Presidenti amerikan e ka çuar mënyrën e tij të sjelljes agresive në nivele të reja kur kërcënoi të fshijë Iranin si qytetërim, duke u tërhequr më pas nga buza e greminës vetëm kur regjimi i Teheranit pranoi të rihapë ngushticën ekonomikisht jetësore të Hormuzit.
Shablloni është “teoria e të çmendurit” e Nixon gjatë angazhimit të tij diplomatik. Kjo është mënyra kur i nxit kundërshtarët të dyshojnë në shëndetin tuaj mendor dhe paqëndrueshmërinë mendore deri në atë pikë sa ata frikësohen dhe bëjnë lëshime që përndryshe do të ishin të pamundura.
Nixon ia shpjegoi idenë shefit të tij të ardhshëm të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Bob Haldeman, gjatë një shëtitjeje në plazh pranë Oqeanit Paqësor në vitin 1968, përpara se të zgjidhej president, duke sugjeruar se kjo mund t’i jepte fund luftës në Vietnam.
“Unë e quaj “teoria e të çmendurit” Bob”, – i tha ai Haldeman, siç rrëfehet nga Anthony Summers në librin e tij “Arroganca e Pushtetit”, botuar në vitin 2000.
“Dua që vietnamezët e veriut të besojnë se kam arritur në pikën ku mund të bëj gjithçka për të ndaluar luftën. Do t’u themi atyre thjesht se “për hir të Zotit, e dini që Nixon është i fiksuar pas komunistëve. Nuk mund ta frenojmë kur është i zemëruar dhe ai e ka dorën te butoni bërthamor”. Pas kësaj edhe vetë Ho Chi Minh do të jetë në Paris brenda 2 javësh duke u lutur për paqe” – thuhet të jetë shprehur Nixon.
Ishte një temë të cilës Nixon iu rikthye disa herë në vitet që pasuan, duke i udhëzuar ndihmësit t’u komunikonin zyrtarëve sovjetikë se shefi i tyre ishte “disi i çmendur” dhe “i aftë për brutalitetin e përgjakshëm”. Disa mendonin se nuk nevojitej asnjë ekzagjerim apo shpikje.
Në vitin 1972, teksa lufta në Vietnam ishte ende duke vijuar, pavarësisht pretendimeve të Nixon për çmenduri, ai i tha Henry Kissinger, këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare, se donte të përdorte armë bërthamore kundër veriut komunist.
“Do ta shkatërroj atë vend të mallkuar, më besoni?” – tha ai. Edhe më vonë, ai i tha sërish Kissinger: “Do të preferoja të përdorja bombën bërthamore. A e ke gati?”
“Kjo, mendoj unë, do të ishte shumë”, – iu përgjigj Kissinger vetëm për t’i thënë se ishte “shumë i shqetësuar për civilët”.
Megjithatë provat se sjellja e çmendur e Nixon ishte një instrument produktiv i diplomacisë janë të pakta.
Qasja e tij ndaj Moskës prodhoi një periudhë qetësimi në marrëdhëniet amerikano-sovjetike që çoi në nënshkrimin e dy traktateve për kontrollin e armëve.
Por zbatimi i taktikës në Vietnam kulmoi me një sulm të egër bombardimi kundër Hanoit dhe objektivave të tjerë në periudhën e Krishtlindjeve të vitit 1972 për të shkatërruar infrastrukturën jetësore dhe për t’i rikthyer vietnamezët e veriut në tryezën e negociatave.
Rezultati ishte një traktat paqeje, kushtet e të cilit, argumentuan kritikët, ishin afërsisht të njëjta me ato të rëna dakord para bombardimeve.
Disa sugjeruan që lidhja e Nixon me çmendurinë shtrihej përtej teorisë. Libri i Summers nënvizon se psikiatri i presidentit prej më shumë se 40 vitesh kishte shprehur shqetësimin se ai “mund të mos jetë njeriu i duhur për të pasur gishtin te butoni bërthamor”.
E gjithë kjo na çon te Trump dhe marrëveshja e tij për një armëpushim me Iranin menjëherë pasi kërcënoi se do të “shfaroste qytetërimin e tij”, “do ta kthente atë në epokën e gurit” dhe do të shkatërronte urat dhe termocentralet e tij.
Shpërblimi për këtë tërheqje është marrëveshja me Teheranin për të rihapur ngushticën e Hormuzit, pikën strategjike të tranzitit energjetik nëpër të cilën kalon afërsisht 20% e naftës botërore. Ajo ishte e hapur derisa SHBA-të dhe Izraeli filluan të kryenin sulme ushtarake më 28 shkurt. Regjimi iranian tani kërkon një çmim prej 2 milionë dollarësh për çdo anije që kalon nëpër ngushticë, që do të përkthehet në përfitime nga hapja e saj si kurrë më parë.
Teksa fitoret shkojnë përpara, ato duken qartë si ato të Pirros. Kujtoni atë që mori Nixon nga Vietnami i Veriut në vitin 1972.
Megjithatë, me Iranin që nuk tregon shenja të përmbysjes pas gati 6 javësh bombardimesh, Trump (ashtu si Nixon para tij) kishte nevojë urgjente për një dalje për të shmangur të dukej i dobët, dhe për të treguar se kërcënimet apokaliptike mund të jenë një biletë fituese.
“Meqenëse ai nuk ka qenë në gjendje të marrë asnjë lloj fitoreje të pastër nga ky konflikt deri më tani, ai ndoshta po kërkon një lloj goditjeje mjeshtërore në mënyrë që të jetë në gjendje të largohet dhe të shpallë fitoren pa lejuar kritikët të hapin vrima në narrativën e tij të fitores”, – thotë Ali Vaez, drejtor i programit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
Goditjet mjeshtërore nuk janë të lehta dhe ka pak gjasa të jenë pa kosto.
Duke u konsideruar si “njeriu që frikëson Teheranin” për të rihapur ngushticën, kjo mund ta çlirojë Trump nga opsioni i frikshëm i një pushtimi tokësor me “trupa në terren”.
Çdo pushtim që synon marrjen e rezervave të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë të Iranit do të ishte “një operacion jashtëzakonisht i ndërlikuar, i kushtueshëm dhe që kërkon shumë kohë”, – paralajmëron Vaez. “Nuk është njëlloj si një ndërhyrje ushtarake e drejtpërdrejtë”.
Në këtë kontekst, përdorimi i kërcënimeve luftarake që e bëjnë të ndihet gjakatar, me qëllimin që të detyrojë udhëheqjen iraniane të largohet nga detyra, nuk është për t’u habitur, edhe nëse kjo vjen me koston e reputacionit të SHBA-së si bartëse standarde e vlerave të qytetëruara dhe një kori të ripërtërirë dyshimesh mbi shëndetin mendor dhe aftësinë e Trump për detyrë.
Gjithashtu nuk është për t’u habitur përdorimi i strategjisë së vjetër të Nixon nga Trump. Dyshja u bënë miq me korrespondencë në vitet 1980, kur manjati i atëhershëm i pronave në ngritje i shkroi ish-presidentit duke shprehur admirimin e tij dhe duke e cituar atë si një frymëzim personal.

Nixon, i cili vdiq në vitin 1994, thuhet se i shkroi Trump në vitin 1990 për t’i thënë se “sulmi masiv mediatik ndaj jush më vë në krahun tuaj!”
Një nga ndihmësit e Trump, Roger Stone, gjithashtu ka punuar dikur si ndihmës i Nixon dhe ka një tatuazh të ish-presidentit në shpinë.
Megjithatë, duke u përpjekur të dalë nga një moçal që po i afrohet me ndjenjën e tij të virilitetit të paprekur, Trump duhet të reflektojë mbi dëmtimin e besueshmërisë së tij. Sa shpesh mund t’u drejtohet ai taktikave të tilla për t’i shpëtuar një situate të vetëshkaktuar?
Ai gjithashtu mund të dëshirojë të reflektojë mbi fatin e Nixonit, identiteti i të cilit u lidh me dhënien e rolit të të çmendurit, një konfuzion që në fund të fundit e pagoi me një çmim të lartë. ©The Guardian,

