Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump firmosi marrëveshjen për krijimin e Bordit të Paqes, bashkë me krerët që pranuan ftesën e tij për të qenë pjesë e grupimit ndërkombëtar.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, ishte e pranishme presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mori ftesë personale nga Trump. Presidenti amerikan dhe Osmani zhvilluan një bisedë kokë më kokë, përpara se presidentja e Kosovës të firmoste.
Mirëpo, në tryezë u vu re mungesa e Ramës. Kryeministri u shfaq mjaft entuziast nga ftesa që Trump i drejtoi Shqipërisë, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes. Rama nuk ishte i pranishëm në Davos, por u shfaq në karrigen e Kuvendit aty ku u votua aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Rama është bërë i njohur për talljet që ka bërë ndaj presidentit amerikan. Madje vetë Trump, nga ceremonia e nënshkrimit, nuk i kurseu batutat dhe ironitë kur tha: “Janë disa që i pëlqej disa jo, por në këtë grup i pëlqej të gjithë përveç 2-3 që nuk i duroj dot.”
Vetë Rama i pyetur nga opozita se pse zgjodhi të mos shkonte në Davos, u justifikuar me argumentin se kishte zgjedhur të qëndronte pranë vajzës së Trump, e cila erdhi një ditë më parë në Shqipëri me bashkëshortin e saj Jared Kushner.
“Mes ftesës së babait dhe vajzës, zgjodha vajzën. Dhe natyrisht vajzën e zgjodha me lejen e babait”, tha Rama.

