Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e zgjati deri më 17 shtator afatin për ByteDance me seli në Kinë për të shitur asetet amerikane të aplikacionit TikTok, pavarësisht një ligji që urdhëronte shitjen në rast së nuk do kishte përparim të rëndësishëm.
“Jemi mirënjohës për udhëheqjen dhe mbështetjen e Presidentit Trump, veprimet e të cilit kanë siguruar që TikTok të vazhdojë të jetë i disponueshëm”, tha TikTok në një deklaratë. Kompania tha se po vazhdon të punojë me qeverinë e SHBA-së për këtë çështje.
“Ka më shumë kohë për të arritur një marrëveshje të mirë”, u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Ajo shtoi se avokatët e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamenti i Drejtësisë besonin që zgjatja erdhi mbi një bazë të fortë ligjore.
Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e shtyu afatin me 90 ditë, një hap që ai e kishte sinjalizuar më parë.
Presidenti republikan kishte pezulluar dy herë zbatimin e një ligji që urdhëronte shitjen ose mbylljen e TikTok. Ky ligj supozohej të hynte në fuqi në janar, në mungesë të një përparimi të rëndësishëm drejt një shitjeje.
Trump ka thënë se dëshiron ta mbajë aplikacionin aktiv në SHBA, pasi e ndihmoi të fitonte mbështetjen e votuesve të rinj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Ai gjithashtu ka shprehur optimizëm se Presidenti kinez Xi Jinping do të miratojë një marrëveshjenë mbrojtje të aplikacionit, megjithëse nuk është e qartë se sa është diskutuar kjo temë në bisedimet e vazhdueshme të dy vendeve për të zgjidhur mosmarrëveshjet tarifore.