Nga Max Hastings
Gjatë ditëve dhe javëve të shkuara, qeveritë e Evropës e kanë parë procesin zgjedhor në SHBA me ankth dhe frikë si çdo amerikan. Pas 4 vite fyerjesh dhe mashtrimesh nga Shtëpia e Bardhë, ata shpresojnë me dëshpërim në një rikthim tek diplomacia dhe politika e aleancës, një rikthim në ndjekje të stabilitetit dhe rendit.
Evropianët nuk janë aq budallenj sa të supozojnë se një presidencë e Xho Bajdenit do të sinjalizojë një rinovim të “Pax Americana” të pas Luftës së Dytë Botërore. Ai rend liberal ndërkombëtar po shpërbëhet, edhe nëse pjesë të tij mund të ruhen ende.
Në pranverë të këtij vitit, Fransua Heizbourg, ish-drejtori francez i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, shkroi:“Më e mira për të cilën mund të shpresojë NATO pas Trumpit, është një grup aleatësh të SHBA-së, shumë më të përfshirë në politikat e mbrojtjes se kurrë më parë”.
Tani shumëkush e pranon se ekzistojnë përparësitë strategjike të SHBA-së në raport me Kinën. Bajden do të jetë i gatshëm të adresojë frikën dhe ndjeshmërinë e Evropës, vetëm nëse ka një mbështetje thelbësore të evropianëve mbi vendosmërinë amerikane për t’i rezistuar ambicieve të perceptuara, inkursioneve dhe ekspansionizmit kinez.
Kjo nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht gatishmërinë e evropianëve për t’u përfshirë në ndonjë lloj shkëmbimi zjarri në Paqësor, apo për të bëjë një zgjedhje të prerë të imponuar midis SHBA-së dhe rivales së saj aziatike. Por pritja e ftohtë që iu bë ministrit të Jashtëm të Kinës, Uang Ji, gjatë turneut të tij të fundit në gusht në kryeqytetet evropiane, tregoi se udhëheqësit e kontinentit nuk janë më të gatshëm të pranojnë në heshtje teprimet e qeverisë së tij.
Heizbourg theksoi:”Tendenca nuk është që të shihet Kina si një Japoni më e madhe,dhe që ka disa probleme me respektimin e të drejtave të njeriut”.Ankthi kryesor i evropianëve është për një strategji koherente aziatike, e cila sot mungon.
Politika amerikane, perceptohet si një seri ndërhyrjesh, të ndërthurura me shkëmbime fyerjesh. Në veçanti britanikët do të dëshironin të shihnin një version të ri të “Telegramit të Gjatë” që shkroi dikur Xhorxh Kenan nga ambasada amerikane në Moskë në vitin 1946, që u shndërrua në modelin e frenimit të Bashkimit Sovjetik gjatë 4 dekadave që pasuan.
Shpresohet që një administratë e re të veprojë me shpejtësi për të ringjallur marrëveshjet e kontrollit të armëve bërthamore dhe diskutimet me Rusinë. Po siç janë punët aktualisht, brenda disa muajsh nuk do të ketë asnjë marrëveshje kufizimi Lindje-Perëndim, me marrëveshjen e Forcave Bërthamore të Distancës së Mesme që ka skaduar, dhe me marrëveshjen NEË START që skadon në shkurtin e vitit të ardhshëm.
Është një situatë e jashtëzakonshme, fakti që pas 60 vjetësh kur kontrolli i armëve cilësohej si një nga synimet kryesore të dialogut midis Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik, tani Rusisë, sot jemi pranë mospasjes së asnjë kufizimi. Por nuk është vonë për t’i rikthyer atyre.
Evropianët kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshje të re bërthamore me Iranin. Ata e pranojnë që Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit i administratës së Barak Obamës është në thelb i pazbatueshëm. Ata e dinë se çdo marrëveshje e ardhshme, do të duhet të përfshijë dispozita, që mungojnë në marrëveshjen e vitit 2015, për të kufizuar aventurizmin iranian në të gjithë Lindjen e Mesme, si dhe në zhvillimin e armëve bërthamore.
Presidenti Donald Trump nuk gaboi në gjithçka. Lajmi i mirë, është se programi bërthamor i iranian nuk është aspak i pariparueshëm. Ka sigurisht hapësirë për negociata të reja. Por një administratë e Bajden pritet të shfaqë më pak entuziazëm për qeverinë izraelite të kryeministrit Benjamin Netanjahu, të cilën evropianët e konsiderojnë si armikun e përparimit drejt paqes në Lindjen e Mesme.
NATO nuk do të mbetet fokusi i shumicës së shpresave por i frikërave që kanë sot evropianët. Ajo është aleanca e vetme e sigurisë e Perëndimit që ka një përmbajtje reale. E megjithatë, që nga shembja e Bashkimit Sovjetik, aleanca e ka pasur të vështirë të gjejë një qëllim të ri të përbashkët.
Roli i saj në ndërhyrjet e viteve 1990 në Kosovë dhe Bosnjë, më pas në Libi në vitin 2011, e mbajti besimin gjallë, por mbi baza të lëkundura. Shumë anëtarë i frikësohen mbijetesës së NATO-s mes teprimeve të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, trajtimit përbuzës të Donald Trumpit ndaj institucionit, dhe pohimit të presidentit francez Emanuel Makron vitin e shkuar se NATO “është në një vdekje klinike”.
Duke analizuar të ardhmen e aleancës, në duhet të shqyrtojmë më së pari gjendjen e Rusisë, e cila është krejtësisht e ndryshme nga ajo e Kinës. Kjo e fundit është një fuqi e madhe dhe me një rritje të padiskutueshme. Rusia është në thelb e dobët, por edhe nga ajo pozitë, presidenti Vladimir Putin vazhdon të luajë me shkathtësi letrat e veta.
Ai kërkon një lloj respekti për vendin e tij, për të cilin sjellja dhe arritjet e tij – një PBB më e vogël se ajo e Italisë -mund të mos e meritojnë. Rusia shfrytëzon eksportet e vetme të rëndësishme:naftën, gazin dhe frikën. Një zyrtar i lartë i ushtrisë britanike, më tha kohët e fundit se ishte më e lehtë të menaxhoje dikur përballjen me Bashkimin Sovjetik, sjellja e së cilës ishte e parashikueshme, sesa kleptokracinë oportuniste të Putinit.
Evropianët, dhe veçanërisht gjermanët, e mbrojnë veten nga akuzave se nuk po kryejnë pjesën e tyre të duhur të shpenzimeve të mbrojtjes në NATO-s, duke këmbëngulur se luftimi i rusëve të sotëm, kërkon më shumë diplomaci sesa tanke.
Sigurisht që ky argument është vetë-shërbyes, por gjermanët besojnë se kancelarja Angela Merkel meriton më shumë respekt sesa merr aktualisht në Uashington, për kundërshtimin e saj të vendosur ndaj aneksimit rus të Krimesë, dhe mbështetjen e saj për sanksionet ekonomike kundër Kremlinit.
Po çfarë perspektive reale ka që Evropa të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes? Britania është duke u përballur me një nivel të frikshëm të borxhit publik edhe për shkak të pandemisë Covid-19, ndaj po heziton të nisë zbatimin e një plani 3-vjeçar për forcimin e aftësive mbrojtëse.
Nga ana tjetër, është thuajse e paimagjinueshme që Gjermania të forcojë ushtrinë e vet, apo tëshfaqë më shumë vullnet për të luftuar. Maksima e saj mbetet: Kurrë më; asnjëherë vetë; politika para forcës. Franca mbetet një fuqi ushtarake, por pjesa tjetër e Evropës nuk ka as mjetet dhe as dëshirën për të rritur aftësinë e saj luftarake.
Dhe kjo është për të ardhur keq:Nëse çdo vend evropian ndan 3 për qind të PBB-së së tij për mbrojtjen, kjo do të rriste me 50 për qind shpenzimet aktuale prej rreth 160 miliardë eurosh. Edhe pse Bajden pritet të tërhiqet nga kërcënimi i Trump për të hequr 12.000 trupat amerikane nga Gjermania, tensionet në lidhje me pabarazinë midis shpenzimeve amerikane dhe evropiane në NATO do të vazhdojnë.
Në anën lindore të Atlantikut, dominon mendimi që nëse NATO do të mbetet një organ kuptimplotë, siç shpresojnë evropianët, ajo duhet të fokusohet tek Kina. Në terma afatshkurtër, Rusia, në thelb një shtet gangster, mund të mbahet nën kontroll përmes sanksioneve të shënjestruara kundër zyrtarëve të Putinit dhe familjeve të tyre.
Por kundërvënia ndaj forcës gjithnjë e në rritje të Kinës, kërkon një forcë të fortë ushtarake.
Sot, shumica prej nesh përtej Atlantikut e kuptojnë rëndësinë e kufizimit të shpresave dhe aspiratave tona nga një administratë Bajden.
Por tani për tani, do të jemi më shumë se të kënaqur nëse 20 janari 2021 do të sinjalizojë një ripërtëritje të respektit, racionalitetit dhe civilizimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këto të fundit do të sigurojnë rezultate thuajse gjithnjë e më të mira edhe për fuqitë më të mëdha globale, sesa marrëdhënia jonë me Uashingtonin, ose më saktë mungesa e saj gjatë4 viteve të fundit. / “Bloomberg”