Presidenti amerikan, Donald Trump kritikoi sot marrëveshjen për daljen nga BE të kryeministrit britanik, Boris Johnson, që sipas tij nuk mundëson një traktat tregtar me SHBA-në dhe i bëri thirrje që të bashkohet me mbështetësit e një Brexit-i të vështirë për zgjedhjet legjislative që do të mbahen në dhjetor.
Presidenti amerikan, Trump, i cili i kishte premtuar më parë Britanisë së Madhe një marrëveshje të mrekullueshme menjëherë pas daljes nga Bashkimi Europian, dha një intervistë për eurofobin Nigel Farage në radion britanike LBC, në fillim të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 12 dhjetorit.
“Për të qenë i ndershëm me ju, me këtë marrëveshje, në disa aspekte, ju nuk mund të bëni tregti. Ne nuk mund të bëjmë marrëveshje tregtare me Britaninë e Madhe”, deklaroi Trump.
“E di që Boris Johnson dëshiron të jetë shumë i vëmendshëm për këtë. Sepse, në një farë mënyre ne jemi të përjashtuar, gjë që do të ishte qesharake”, shtoi ai.
Në të njëjtën intervistë, të realizuar me telefon, Donald Trump i kërkoi Boris Johnsonit të bashkohej për zgjedhjet legjislative me mikun e tij, Nigel Farage, për të cilin marrëveshja e negociuar në mes të tetorit në Bruksel e mban Britaninë e Madhe shumë pranë BE-së.
“Do të dëshiroja t’ju shikoja bashkë me Boris, sepse ju do të merrnit një rezultat të mirë, sepse ju keni dalë shumë mirë në zgjedhjet e fundit dhe ai ju respekton shumë”, deklaroi presidenti amerikan, Trump.
Gjatë zgjedhjeve europiane në fund të majit, formacioni politik i Nigel Farage u rendit në krye me 31,6% të votave.
“Po ju them se ai ju respekton shumë. Nuk e di nëse e dini apo jo”, shtoi presidenti amerikan.
“Do të dëshiroja t’ju shikoja bashkë”, nënvizoi Trump duke shtuar se kjo do të ishte e mrekullueshme.
Donald Trump do të pritet në Londër një javë para zgjedhjeve për një takim të NATO-s./AFP/