Gjatë takimit me Friedrich Merz me Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump u pyet edhe për reagimin e aleatëve të tjerë të SHBA-së lidhur me sulmin e përbashkët me Izraelin ndaj Iranit.
Ai theksoi se është veçanërisht i pakënaqur me Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën.
Duke iu referuar marrëveshjes së Mbretërisë së Bashkuar për ishullin Chagos, Trump deklaroi: “Ai ishull për të cilin keni lexuar, me qiranë, për çfarëdo arsye, ai bëri një marrëveshje qiraje për ishullin dhe dikush erdhi dhe ia mori.
Na janë dashur tre apo katër ditë për të gjetur se ku mund të zbresim, do të kishte qenë shumë më e leverdishme të zbarkonim atje, në vend që të fluturonim shumë orë shtesë.
Pra, jemi shumë të habitur. Nuk kemi të bëjmë me Winston Churchill,” tha ai për kryeministrin britanik Keir Starmer.
Presidenti Trump tha se nuk ishte i kënaqur me Mbretërinë e Bashkuar për shkak të refuzimit fillestar nga Londra për të lejuar Uashingtonin të përdorë bazën britanike në Diego Garcia në Oqeanin Indian gjatë sulmeve të para ndaj Iranit.
Kujtojmë se ishujt Chagos, të njohur zyrtarisht si “Territori Britanik i Oqeanit Indian”, ndodhen në Oqeanin Indian dhe Britania i ka kontrolluar ato që nga fillimi i shekullit të 19-të.
Pavarësisht se më parë kishte shprehur mbështetje për të, Trump kohët e fundit i kërkoi kryeministrit Starmer të anulonte një marrëveshje që do të shihte Mbretërinë e Bashkuar t’i lëshonte sovranitetin e territorit Mauritiusit dhe të paguante një kosto mesatare prej 101 milionë paundësh në vit për të marrë me qira një bazë të përbashkët ushtarake Britani-SHBA, në ishullin më të madh.


