Ndërsa mbreti Charles III pret Donald Trump për vizitën e tij të dytë shtetërore në Britaninë e Madhe, priten ceremoni madhështore, protokoll i rreptë dhe ndoshta edhe momente që mund të kthehen në meme, sipas “Deutsche Welle”.
Fjala “vizitë shtetërore” lidhet ngushtë me etikën dhe protokollin, veçanërisht kur bëhet fjalë për shtëpinë Windsor, me “kështjellën Windsor” që këtë herë do të jetë epiqendra e pritjes, pasi “Buckingham Palace” është në rikonstruksion.
Zakonisht, presidentët amerikanë që shërbejnë një mandat të dytë nuk ftohen për vizitë shtetërore, por vetëm për takime joformale me monarkun.
Por Trump është përjashtim, duke u bërë presidenti i parë amerikan që merr një ftesë të tillë për të dytën herë.
Kryeministri britanik Keir Starmer e përshkroi këtë si një ngjarje “historike” dhe “të paprecedent.” Gjatë mbretërimit të Mbretëreshës Elizabeth II (1952-2022), vetëm tre presidentë amerikanë bënë vizita shtetërore: George W. Bush, Barack Obama dhe vetë Trump.
Këtë herë, presidenti amerikan do të pritet nga princi William dhe Princesha Catherine me një procesion ceremonial me karrocë, një element i shmangur në vizitën e parë për arsye sigurie në Londër.
Sipas “Sky News”, programi përfshin një paradë ushtarake, vendosje kurore në varrin e mbretëreshës Elizabeth II në kapelën e “Shën Gjergjit”, një fluturim spektakolar nga “Red Arrows” dhe avionët” F-35”, si dhe një darkë shtetërore .
Pas fasadës së argjendtë dhe ceremonialit fshihet gjithsesi një labirint protokolli ku shpesh janë penguar edhe liderë me përvojë.
Në vitin 2019, Trump eci përpara mbretëreshës Elizabeth II, duke e lënë për një moment në hije, një “gafë” që pushtoi kryetitujt botërorë.
Në vitin 2021, Joe Biden, u kritikua për syzet e tij ikonike të diellit gjatë një takimi me mbretëreshën, ndërsa Michelle Obama shkaktoi habi kur i vuri dorën mbi shpatull, një gjest që ajo më vonë e përshkroi si spontan dhe njerëzor.
Më herët, në vitin 1961, vizita e Jacqueline Kennedy u komentua si një moment rivaliteti të heshtur me mbretëreshën, për shkak të hijeshisë dhe intelektit të saj.
Mbretëresha Elizabeth II ishte mjeshtre në menaxhimin e këtyre situatave, duke ruajtur qetësinë dhe humorin edhe përballë gafave, kur George W. Bush gabimisht aludoi se ajo kishte vizituar SHBA-në në vitin 1776.
Ajo gjithashtu përjetoi momente të veçanta, si hipjen mbi kalë me Ronald Reagan në Windsor në vitin 1982.
Tani, mbreti Charles III duhet të ndjekë të njëjtin hap. Stili i tij më i hapur e bisedor e dallon nga ai i nënës së tij, por pritja e një figure si Trump mbetet sfidë e madhe diplomatike dhe ceremoniale.
Çdo hap, shtrëngim duarsh apo gjest i Trump do të jetë nën vëzhgimin e publikut dhe medieve.
I njohur për shfaqje spektakolare, ai mund të sjellë momente të papritura, qoftë përmes shtrëngimit të fortë të duarve, një komenti jashtë protokollit apo një deklarate polemike.
Vetëm këtë korrik, në një konferencë për shtyp në Skoci, Trump e quajti kryebashkiakun e Londrës, Sadiq Khan, “njeri të lig” dhe “të paaftë,” duke i shkaktuar befasi kryeministrit Starmer që ishte pranë tij.
Megjithë rrezikun për incidente protokollare, vizitat shtetërore shërbejnë për të forcuar aleancat dhe lidhjet politike. Ato jepen nga monarku, por gjithmonë me këshillën e qeverisë britanike.Për këtë arsye, mediat britanike e kanë quajtur vizitën e Trump një “ofensivë tërheqjeje mbretërore”, një “festë diplomatike” dhe një “banket të plotë” për të konsoliduar marrëdhëniet SHBA–Britani në një periudhë sfidash globale.
Kjo vizitë është më shumë se ceremoni, është një provë diplomatike me ndikim ndërkombëtar.