Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara janë në negociata për të përfunduar luftën në Gazë dhe për të sjellë një paqe më të gjerë në Lindjen e Mesme, duke theksuar mundësinë e një marrëveshjeje të shpejtë.
Këto komente erdhën gjatë një konference shtypi në zyrën Ovale, ku Trump priste kyeministrin kanadez Mark Carney, në një takim që synon të trajtojë tensionet tregtare mes dy vendeve, por që u kthye në një platformë për diplomacinë globale.
Duke folur për planin e tij të propozuar në shtator për Gazën – një iniciativë 20-pikëshe që parashikon lirimin e pengjeve izraelitë, tërheqjen izraelite nga pjesë të Gazës dhe transformimin e zonës në një “territor pa terror dhe i deradikalizuar” – Trump tha se “ka një mundësi që të kemi paqe në Lindjen e Mesme, diçka edhe përtej situatës në Gazë. Ne duam lirimin e menjëhershëm të pengjeve, etj.”
Ai shtoi se “ekipi ynë është atje tani. Një ekip tjetër sapo u nis, dhe pothuajse çdo vend tjetër në botë ka mbështetur planin”. “Ka një shans të vërtetë që të bëjmë diçka”, nënvizoi ai.
Më vonë në konferencë, Trump përsëriti se “jemi shumë afër një marrëveshjeje për Lindjen e Mesme që do të sjellë paqe në të gjithë rajonin”.
Këto deklarata vijnë në kulmin e negociatave të zhvilluara në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, ku përfaqësuesit e Hamasit, Izraelit dhe SHBA-së po diskutojnë detajet e fundit të planit. Hamas ka shprehur gatishmërinë për të liruar pengjet dhe për të dorëzuar administrimin e Gazës te teknokratë palestinezë të pavarur, ndërsa Izraeli ka pezulluar bombardimet në Gazë Qytet për të lehtësuar lirimin e pengjeve.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga mediat izraelite, marrëveshja mund të arrihet brenda disa ditësh, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm pas dy vitesh lufte që kanë lënë mbi 41.000 të vdekur palestinezë dhe mijëra të tjerë izraelitë.