Trump presidenti i parë amerikan me dy ”impeachment”

albnews
By
2 Min Read

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi për fajësimin (”impeachment”) ndaj presidentit Donald Trump me një nen të vetëm, për nxitje të kryengritjes, duke e bërë atë presidentin e parë në historinë e vendit i cili fajësohet për herë të dytë në shtëpinë ligjvënëse.

Me 232 vota pro dhe 197 kundër, votimi tani e dërgon çështjen në Senat për një gjyq që pritet të fillojë jo më shpejt se 19 janari.

Dhjetë republikanë ndanë rrugët me presidentin e tyre me mbështetjen e dhënë për largimin e tij nga posti.

Kjo paraqet një dallim të madh nga fajësimi i parë ndaj Trumpit, kur republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve refuzuan në mënyrë unanime rrëzimin e tij.

Këtë herë, ligjvënësit amerikanë votuan mbi një nen të vetëm të fajësimit, që akuzon Trumpin për përpjekje për të nxitur kryengritje, për shkak të rolit në bastisjen e ndërtesës së Kongresit javën e kaluar.

Pesë persona humbën jetën pasi mbështetësit e presidentit amerikan rrethuan ndërtesën e Kongresit në Uashington, duke tejkaluar policinë për të hyrë brenda përmes dyerve dhe dritareve të thyera.

Midis të vdekurve ishte edhe oficeri i policisë, Brian Sicknick.

Siguria në kryeqytetin e vendit ka arritur nivelet historike përpara ceremonisë së betimit  të Bidenit më 20 janar.

Rreth 20 000 trupa të Gardës Kombëtare pritet të jenë të pranishëm në Uashington për ngjarjen.

Share This Article