Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar gjatw njw interviste dhënë për ABC se beson që Vladimir Putin dëshiron t’i japë fund luftës me Ukrainën, ndërsa pranoi se është “e mundur” që presidenti rus “mund ta mbështesë” në negociatat e vazhdueshme të paqes.
Trump tha se beson që Putin “do të donte ta ndalte luftën”, duke shtuar, “Po, mendoj se ai do të donte. Ëndrra e tij ishte të merrte kontrollin e të gjithë vendit. Mendoj se për shkakun tim, ai nuk do ta bëjë këtë”.
Megjithatë, i pyetur nga Terry Moran i ABC, nëse ai i beson presidentit rus, Trump ngurroi për këtë çështje, transmeton Telegrafi.
“Nuk ju besoj juve. Nuk u besoj shumë njerëzve. Por mendoj se ai, le të themi se më respekton, dhe besoj se për shkakun tim, ai nuk do ta marrë kontrollin e të gjithë Ukrainës, por vendimi i tij, zgjedhja e tij, do të ishte të merrte kontrollin e të gjithë Ukrainës”, tha Trump.
Të shtunën, pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky para fillimit të funeralit të Papa Françeskut, Trump vuri në dyshim nëse Putin dëshiron një marrëveshje paqeje.
Në një postim në Truth Social të dërguar ndërsa kthehej nga Roma pas takimit, Trump ngriti mundësinë e zbatimit të sanksioneve të reja ndaj Rusisë pas sulmit të saj ndaj Kievit javën e kaluar, duke shkruar se bombardimi ajror i Kievit nga Putini “më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron ta ndalë luftën”.
Në intervistën e së martës me ABC News, Trump dha detaje mbi takimin e së shtunës me Zelenskyn, duke i thënë Moran: “Momenti ishte një moment ngushëllimi, në një farë mënyre, sepse një numër i jashtëzakonshëm njerëzish po vdesin, shumë nga njerëzit e tij po vdesin, po vriten dhe ndihem shumë keq për këtë”.