Presidenti Donald Trump ka njoftuar mbrëmjen e djeshme (25 shtator) një seri të re tarifash ndëshkuese ndaj importeve, trë cilët përfshijnë një gamë të gjerë produktesh, përfshi medikamentet, kamionët si dhe mobiljet e banesave.
Sipas presidentit Trump, do të vendoset 100% tarifë për ilaçet me markë të importuara, 25% tarifa për kamionët e rëndë, 50% tarifë për pajisjet mobiliare, si dhe 30% për moblijet e veshura me tapiceri. Këto tarifa, sipas Trump,do të hyjën në fuqi javën e ardhshme.
Masat e reja pritet të trazojnë tregtinë ndërkombëtare dhe të ngjallin reagime të forta nga partnerët tregtarë të SHBA-së.
Trump tha se vendimi është marrë për të mbrojtur prodhuesit vendas nga ajo që ai e quajti “konkurrencë e padrejtë e jashtme”. “Arsyeja për këtë është përmbytja në shkallë të gjerë e këtyre produkteve në Shtetet e Bashkuara nga vende të tjera të jashtme,” tha ai, duke përmendur shqetësimet për sigurinë kombëtare.
Dhoma e Tregtisë e SHBA-së kundërshtoi masat, duke paralajmëruar se pesë nga partnerët kryesorë të importit – Meksika, Kanadaja, Japonia, Gjermania dhe Finlanda – janë aleatë të ngushtë dhe nuk përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.
Meksika, eksportuesi më i madh i kamionëve të mesëm dhe të rëndë në SHBA, reagoi ashpër ndaj tarifave, duke theksuar se kamionët e saj kanë mesatarisht 50% përmbajtje amerikane dhe se vendi është shtëpia e 14 prodhuesve të mëdhenj në këtë sektor. Vendi latino-amerikan eksporton 95% të kamionëve të tij traktorë drejt SHBA-së.
Nëse zbatohen, tarifat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në kosto më të larta të transportit, në një kohë kur Trump është zotuar të ulë inflacionin – veçanërisht për mallrat e konsumit.