Presidentiamerikan Donald Trump tha ekziston një mundësi e mirë, që ai të takohet me Putin dhe Zelenskin shumë shpejt, për te zhvilluar bisedime lidhur me fundin e luftës në Ukrainë.
Në një pronocncim në Shtëpinë e Bardhë mbrëmjen e së mërkurës, Trump pohoi se bisedimet në Moskë mes të dërguarit të tij, Wittkoff dhe presidentit rus kishin qenë shumë produktive. I pyetur nëse Zelenski dhe Putin ishin dakordësuar për një takim të tillë, numri një i Uashingtonit pohoi se mundësia ishte e lartë, por nuk dha shumë detaje.
“Epo, ka një shans shumë të mirë që ata do ta bëjnë këtë. Dhe nuk kemi përcaktuar ende se ku. Por sot patëm disa bisedime shumë të mira me Presidentin Putin. Dhe ekziston mundësia që ne të mund ta përfundojmë raundin e bisedimeve, duke i dhënë fund asaj rruge. Ajo rrugë ishte e gjatë dhe vazhdon të jetë e gjatë, por ka një shans të mirë që të ketë një takim shumë shpejt”.
“New York Times” raporton se Trump synon të takohet me homologun rus Putin javën e ardhshme, diçka që mund t’i hapë rrugën një takimi tripalësh mes udhëheqësve. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u pyet nëse Putin i kishte ofruar diçka në këmbim të takimit këtë herë, por presidenti nuk dha detaje të mëtejshme duke thënë vetëm se bisedimet kishin qenë shumë të frytshme. Ndërkohë, Kremlini publikoi një deklaratë të paqartë lidhur me takimin Putin-Witkof me një këshilltar të politikës së jashtme që tha se palët kishin shkëmbyer sinjale si pjesë e bisedimeve konstruktive në Moskë.
Zhvillimet vijnë teksa ultimatum i vendosur nga Trump për Putinin, që të pranojë një armëpushim ose te përballet me sanksione te reja, skadon të premten. Më optimist të enjten u shfaq edhe presidenti ukrainas Zelenski, i cili tha se Rusia dukej tani më e prirur për një armëpushim. Megjithatë, shtoi ai, detajet e një marrëveshje të mundshme janë me rëndësi të madhe dhe as Kievi as SHBA nuk duhet të mashtrohen nga Moska.