Administrata e presidentit Donald Trump ka nisur një fushatë të re ligjore kundër Fondacionit Shoqëria e Hapur, të financuar nga miliarderi George Soros.
Sipas një raportimi të publikuar nga New York Times, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche ka dërguar një direktivë në të paktën gjashtë zyra të prokurorëve federalë, në Kaliforni, Nju Jork, Uashington D.C., Çikago, Detroit dhe Maryland, duke i udhëzuar ata të shqyrtojnë akuzat ndaj degëve të Open Society Foundation.
Fondacioni, i themeluar dhe financuar nga Soros, akuzohet për mbështetje të terrorizmit, mashtrim financiar dhe shkelje të tjera të rënda, përfshirë zhvatje.
Një raport i konservatorëve të Capital Research Center citohet si bazë e hetimit, duke pretenduar se fondacioni ka derdhur mbi 80 milionë dollarë në organizata të lidhura me dhunë ose terrorizëm. Një shembull i përmendur është grupi palestinez për të drejtat e njeriut al-Haq, i cilësuar nga Izraeli në vitin 2022 si mbulim për aktivitete terroriste.
Open Society Foundation e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke e quajtur sulmin “politikisht të motivuar dhe të rrezikshëm për lirinë e fjalës”. “Kur pushteti keqpërdoret për të sulmuar disa, në rrezik futen të drejtat e të gjithëve”, thuhet në reagim.
Trump prej kohësh ka sulmuar publikisht Soros dhe ka kërkuar burgosjen e tij, duke e akuzuar si figurë që financon “kaos politik” dhe kundërshtarë të administratës së tij.