Stërvitja Defender 2021, një stërvitje dypalëshe me SHBA është e para e këtij lloji në vendin tonë dhe do të marrim pjesë mbi 8,000 trupa amerikane që do të dislokohen në disa rajone të vendit dhe në disa reparte të Forcave tona të Armatosura.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e pranishme në seancën dëgjimore në Komisionin Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, të mërkurën, duke folur për pr/buxhetin e vitit 2021, nënvizoi se, Shqipëria është një nga vendet që ka ndër kontributet më të larta në misionet e Aleancës duke fituar respektin e aleatëve për kontributin e saj. Në këtë prizëm është hartuar edhe pr/ buxheti i vitit 2021.
“Në kërkesat buxhetore për operacionet jashtë vendit, faktor është numri i personelit të FA i deklaruar në strukturat e NATO-s dhe strukturat e tjera ndërkombëtare, por ky numër mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve në arenën ndërkombëtare, por në këtë rast, MM sigurisht që do të informojë menjëherë strukturat vendimmarrëse. Shqipëria është një nga vendet që ka ndër kontributet më të larta në misionet e Aleancës duke fituar respektin e aleatëve për kontributin e saj”,- tha Xhaçka.
“Kërkesat për stërvitje të FA, janë po ashtu një zë shumë i rëndësishëm sepse këto stërvitje janë jetike për rritjen e performancës dhe profesionalizmit të forcave tona. Ne këtë pike dua të ndaj me ju disa detaje lidhur me një nga stërvitjet më të mëdha që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Stërvitja Defender-2021, një stërvitje dypalëshe me SHBA është e para e këtij lloji në vendin tonë, dhe do të marrim pjesë mbi 8,000 trupa amerikane që do të dislokohen në disa rajone të vendit dhe në disa reparte të Forcave tona të Armatosura. Për më shumë detaje nëse jeni të interesuar kam në krah dhe Shefin e Shtabit i cili mund të ndalet dhe më teknikisht nga ana operacionale”,- tha Xhaçka.
“Po kështu duhet të vë në dukje përpjekjen e madhe që është bërë për edukimin dhe arsimimin e ushtarakëve, ku buxheti 2021 na lejon zhvillimin dhe integrimin e mëtejshëm të sistemit arsimor, plotësimin e nevojave materiale e didaktike, zhvillimin e planeve dhe programeve të arsimimit, por edhe stërvitjet, kryerjen e specializimeve, analizave, studimeve e kështu me radhë”, shtoi ministrja Xhaçka.?ATSH/