Dy barazime dhe një humbje në tre ndeshjet e fundit kanë “turbulluar ujërat” në ambientin e Chelsea.
Blutë e Londrës mbeten në vendin e tretë të Premier League megjithatë atmosfera në skuadër nuk është më e njëjta ndërsa edhe trajneri Thomas Tuchel është vendosur nën “shënjestrën” e lojtarëve të cilët së fundmi nuk kanë qenë dakord me disa nga metodat që gjermani ka ndjekur në stërvitje, sidomos me faktin që i ka detyruar të zbresin në fushën stërvitore edhe në ditë pushimi.
Kështu, pasi pësuan një gol në minutën e 97-të kundër Wolverhampton në ndeshjen e mbyllur me rezultatin 2-2, Tuchel vendosi të ndëshkonte lojtarët duke i hequr ditën e pushimit, mirëpo tashmë trajneri rrezikon të përballet me një grup të pakënaqur ndërsa para është finalja e FA Cup kundër Liverpool.
“Nëse nënshkruan për Chelsean dhe luan në këtë nivel, atëherë nuk ka për të qenë gjithnjë e lehtë dhe jo gjithmonë do të jetë bukur. Është e vështirë, e lodhshme dhe sfilitëse por duhet pranuar dhe unë kërkoj maksimumin nga të gjithë”, u shpreh Tuchel.
Por, sipas tabloidit të famshëm, The Sun, lojtarët kanë nisur të ndjejnë lodhjen pas 59 ndeshjesh në këtë sezon dhe vendimi për t’u stërvitur ditën e dielë pas sfidës së të shtunës iu është dukur i tepruar.
Sakaq, një nga të zhgënjyer është Marcos Alonso i cili nuk e ka kuptuar vendimin e Tuchel për ta zëvendësuar në pushimin mes pjesëve, ndërsa lojtarët e tjerë të grupit nuk besojnë se skuadra mund të luftojë për titull në sezonin pasardhës nisur nga problemet administrative të klubit ndërsa pritet që disa prej titullarëve të largohen në merkaton verore.