Policia në Nevada ka konfirmuar se kanë ekzekutuar një urdhër kontrolli këtë javë në lidhje me vrasjen e pazgjidhur ende të reperit Tupac Shakur. Detektivët kryen kontroll në një shtëpi në Henderson, në periferi të Las Vegas, aty ku u Shakur u ekzekutuar me armë zjarri në Shtator të 1996.
Sipas asaj që shkruan BBC, policia e Las Vegas nuk dha detaje të tjera sa i takon kontrollit, duke thënë se hetimet për vdekjen e tij vijojnë. Shakur ishte 25 vjeç kur u vra. Deri më sot nuk ka pasur të arrestuar, as të dyshuar që të jenë ndaluar nga autoritetet amerikane.
Shtëpia ku u ushtrua kontroll ndodhet rreth 32 kilometra nga Las Vegas, ku Shakur u qëllua për vdekje nga një automjet në lëvizje. Për mediat lokale, autoritetet policore konfirmuan se detektivët po punonin sërish mbi vrasjen e reperit.
“Është një rast i pazbardhur dhe me shpresë një ditë do të mund ta ndryshojmë këtë”, thanë autoritetet.
Shakur, emri skenik i të cilit u stilizua si 2Pac, e publikoi albumin e parë në 1991 dhe arriti suksese me hite se California Love, All Eyez on Me, Changes dhe I Ain’t Mad at Cha. Ai vdiq më 13 Shtator të 1996-s, pasi u qëllua 4 herë brenda makinës së tij teksa priste në semafor të kuq.