Më 16 tetor 2023, Tirana zyrtare do të presë samitin e Procesit të Berlinit. Por qeveria shqiptare duket se ka nisur përgatitjet që tani. Në këtë kuadër, kryeministri Edi Rama, do të nisë të enjten një tur ballkanik, i cili mësohet se fillesën do ta ketë nga Shkupi.
Agjenda e takimeve të kreut të qeverisë shqiptare përfshin nivelet më të larta politike të kryeqyteteve ballkanike, takime të cilat deri më tani janë konfirmuar, me përjashtim të takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë ndalesës së tij të nesërme në Prishtinë mësohet se në orën 16.00, kreu i qeverisë shqiptare do të zhvillojë një takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Edhe zyra e Presidentes në Kosovë ka konfirmuar takimin e nesërm (e enjte) në Prishtinë mes presidentes, Osmani dhe kryeministrit Rama. Sipas njoftimit të Presidencës, bëhet e ditur se takimi pritet të nis në orën 16:00 në Prishtinë.
“Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pret në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama”,- thuhet në njoftim e Presidencës.
Takimi është llogaritur të zgjasë 60 minuta, pasi në orën 17.15, është projektuar edhe një takim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Pas kushtëzimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që takimi mes tyre të ndodhë vetëm në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, kryeministri Rama nuk e ka ndryshuar pozicion dhe se takimi nuk do të mbahet.
Kryeministri i Kosovës deklaroi se i ka kërkuar homologut të tij nga Shqipëria, Edi Rama, mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive të anuluar pak ditë më parë.
Kurti deklaroi se nëse nuk mbahet mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, nuk do të ketë takime të tjera mes tyre.
Rama mësohet se do të qëndrojë nesër në Kosovë, ndërsa të premten do të vijojë takimet në Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë.