Në Durrës ka hapur dyert shtëpia-ekspozitë “Turistë të përgjuar” për të rrëfyer përmes ndërtimit, arredimit, dokumenteve dhe botimeve të kohës historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, që përjetoi Shqipëria dhe turistët e huaj që u lejuan ta vizitojnë atë.
Dy eksperte të turizmit, Brunilda Licaj dhe Arjana Isaku e kthyen banesën e vjetër të familjes Mima në një nga rrugicat e Durrësit në shtëpi-dëshmi të asaj kohe, deri në detaje.
Liçaj sjell një detaj ekskluziv nga kjo ekspozitë, atë të subjektit të filmit shqiptar “Fijet që priten”, që sipas dokumenteve të kohës, i referohet historisë së një turisti të huaj që ka vizituar vendim tonë në atë kohë.
Ekspozita sjell në vëmendje copëza të jetës dhe survejimit shqiptar gjatë regjimit totalitar komunist që përpiqej të mbante nën kontroll edhe turistët e huaj, duke nisur që nga paraqitja e tyre.
Një nga elementet më domethënëse të kësaj ekspozite që rrëfen në çdo detaj të saj është dhe vendstrehimi nëntokësor, një dëshmi autentike e asaj kohe. Me rënien e sirenës së alarmit, ashtu si dikur, vizitorët nxitojnë të improvizojnë futjen në vendstrehim.
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët e huaj dhe vendas, duke ofruar një dritare të çmuar informative për të njohur dhe reflektuar mbi këtë periudhë të errët të historisë shqiptare.