Një ngjarje e rëndë ka tronditur një familje britanike, pasi një turist 43-vjeçar ka humbur jetën në një aksident rrugor gjatë pushimeve në Vietnam.
Viktima, Ryan Hutchinson, dyshohet se u përplas me një autobus teksa udhëtonte me motor në kryeqytetin Hanoi. Trupi i tij ndodhet ende në morg në Vietnam, ndërsa familja përballet me vështirësi të mëdha financiare për ta kthyer në Britani.
Kostoja e riatdhesimit vlerësohet nga 10 deri në 20 mijë paund, një shumë e papërballueshme për të afërmit, të cilët pranojnë se jetojnë me të ardhura minimale.
Familjarët e përshkruajnë Ryanin si një njeri energjik dhe plot jetë, i lidhur fort me miqtë dhe familjen. Ata tregojnë se ai kishte një shpirt aventurier dhe se udhëtimi në Vietnam ishte një nga momentet më të lumtura të jetës së tij.

