TOM ROBBINS, SIMON USBORNE & OLIVER BARNES
Tomazh Rotar di një ose dy gjëra mbi jetën dhe vdekjen në mjedise ekstreme. Në shkurtin e vitit 2021, kirurgu slloven gjendej brenda një tende të vogël në lartësinë 7300 metra në majën K2, mali i dytë më i lartë në botë. Më shumë se 20 alpinistë ishin mbledhur atje brenda në errësirë. Era jashtë ishte shumë e fortë dhe temperatura ishte -30 gradë Celcius.about:blank
Që të kishin shans të arrinin në majë, në kushtet kur moti po përkeqësohej, ata duhej të niseshin përsëri pothuajse menjëherë. Shumica e alpinistëve bënë gjënë më të arsyeshme në ato kushte.
Ata qëndruan në tendë zbritën poshtë në agimin e ditës tjetër, me keqardhjen se kishin paguar secili të paktën 20.000 paund kompaninë që menaxhonte udhëzuesit për të pasur shansin të arrinin në majën më të lartë në dimër, një arritje që kishte ndodhur për herë të parë vetëm disa javë më parë.
Rotar ishte në mesin e 7 alpinistëve që morën vendimin për të vazhduar ngjitjen. Ai u rikthye pas vetëm disa orësh më vonë kur hasi në një çarje të papritur. Tre alpinistë të tjerë arritën ta kalonin dhe vazhduan. Kur ata nuk u kthyen, lajmi për zhdukjen e tyre bëri bujë në media ndërsa helikopterët ushtarakë dhe madje një avion luftarak kontrolluan majën K2.
Të tre burrat vdiqën atë natë. Do të kalonin muaj para se të gjendeshin trupat e tyre të ngrirë. Ndërsa ndoqi në ankth lajmet për nëndetësen e vogël Titan që u zbulua se pati një fat tragjik, Rotar ka reflektuar mbi llogaritjet që bëjnë aventurierët e pasur kur përballen me atë vendim jetësor: të qëndrojmë apo të ikim?
“Janë të njëjtit tipa njerëzish që ndiejnë të njëjtën lloj tërheqje, qoftë për të shkuar në thellësi të detit, për t’u ngjitur shumë lart në mal, apo për të vrapuar shumë larg. Është një lloj sëmundjeje, siç është helmi në venat e tua që të bën të duash të shkosh të rrezikosh. Sepse e dëshiron atë ndjenjën e bukur që përjetohet kur kalon rreziku dhe e dini se keni arritur diçka. Pastaj e harroni atë që keni përjetuar, ndaj ktheheni dhe e bëni sërish”- thotë ai.
Nga oqeanet, tek malet, shtresat polare të akullit dhe vullkanet aktive, dhe tani hapësira: njerëzit janë gjithnjë e më të përgatitur të paguajnë shuma jo të vogla në para në ndjekje të ëndrrave të mëdha, ndonjëherë të rrezikshme.
Edhe Poli i Jugut – që pas vizitës fatkeqe të Skot në vitin 1912, nuk u vizitua nga njerëzit deri në vitin 1956 – ofrohet tani në broshurat turistike. Baza Amundsen-Scott e SHBA-së në Polin e Jugut është nën hijen e një objekti tjetër, rreth 800 metra më larg.
Një kamp turistik që mirëpret vizitorët me një tabelë që tregon “resortin më jugor në botë”. Antarctic Logistics & Expeditions (ALE), që drejton kampin, ofron një sërë mënyrash për të arritur atje, përfshirë udhëtimin “South Pole Overnight” për 65.000 dollarë. Turistët shkojnë atje me avion dhe më pas kthehen duke u pajisur në fund me një certifikatë.
Interesi për të vizituar Antarktidën – kontinenti më i ftohtë, më i lartë dhe me erërat më të forta në botë – është në rritje. Shumica e njerëzve mbërrijnë përmes anijeve turistike dhe zbarkojnë më pas me varka të vogla. Numri që zbarkoi në breg u dyfishua nga 26.000 në sezonin e verës në Australi në vitet 2014-2015 në 55.000 në sezonin 2019-2020.
Po ashtu të dhënat nga Shoqata Ndërkombëtare e Operatorëve Turistik të Antarktidës regjistrojnë gjithashtu disa nga aktivitetet që kryhen: ngjitje në majat e maleve apo zhytje në ujërat e akullta. Ashtu si në zonat e tjera të botës së “turizmit ekstrem”, operatorët turistikë po mjegullojnë gjithnjë e më shumë kufijtë midis pushimeve dhe ekspeditave.
Pra dëshironi të bëni ski nga skaji i kontinentit deri në Pol, një udhëtim epik 60-ditor, ku do të përballeni me temperatura deri në -30 gradë Celcius? Mjafton t’i drejtoheni faqes në internet të ALE dhe nëse mund të përballoni koston prej 85.000 dollarësh, atëherë klikoni butonin “Rezervo tani”. Udhëtimi do të drejtohet nga një guidë me përvojë.
Edhe pse turizmi po bëhet një dukuri më normale në Antarktidë, rreziqet janë aty. Roja Bregdetare e SHBA-së po kryen aktualisht një hetim pasi 4 turistë humbën jetën në 3 incidente në fundin e vitit 2022. Gjithsesi, një nga gjërat e çuditshme në lidhje me turizmin ekstrem është se rreziku duket se më shumë i tërheq sesa i pengon klientët.
Vetëm 2 ditë pasi një vullkan shpërtheu në Ishullin e Bardhë pranë Zelandës së Re në vitin 2019, duke vrarë 22 njerëz, një udhërrëfyes varkash në Uakatane, qyteti më i afërt me vullkanin, u tha gazetarëve se ai kishte filluar të merrte kërkesa të reja nga turistët që donin të shkonin atje.
Një grua donte të shihte Ishullin e Bardhë nga afër “për të ndjerë tërbimin e vullkanit”. “Është e njëjta gjë për të cilën flasin poetët romantikë kur përshkruajnë natyrën sublime, spektaklet që na nxjerrin nga vetvetja dhe e tejkalojnë përvojën e përditshme njerëzore”- thotë Amy Donovan, gjeografe dhe vullkanologe në Universitetin e Kembrixhit.
Kur mali vullkanik Fagradalsfjall shpërtheu në gadishullin Rejkjanes të Islandës në marsin e vitit 2021, më shumë se 350.000 njerëz u dyndën në atë vend gjatë 10 muajve që pasuan.
Marrë me shkurtime nga “Financial Times” – Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al