U mbajt turneu ndërkombëtar përkujtimor në nder të ish-karateistit të mirënjohur kosovar Xhevat Makolli, i organizuar nga Federata e Karatesë e Kosovës (FKK) në Palestrën e Sporteve “1 Tetori” në Prishtinë.
Turneun e nderuan me pjesëmarrje 210 garues – 111 meshkuj dhe 99 femra – me 248 paraqitje individuale në dy disiplina: kata dhe kumite, si dhe në kategorinë absolute (Open Kumite) për kadetë, juniorë dhe seniorë – me gjithsej 31 garues (17 meshkuj dhe 14 femra). Pjesëmarrës ishin klube nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Kryetari i FKK-së, Besart Baruti, përshëndeti të pranishmit: familjen Makolli, kryetarin e nderit të KOK-ut Besim Hasani, mysafirë nga Shqipëria, ish-kryetarin e FKK-së Nezir Rama, gjeneralin dhe deputetin Hisen Berisha, si dhe garues, trajnerë, gjyqtarë e zyrtarë të FKK-së.
“Është nder dhe privilegj të jemi sot në nderim të jetës dhe veprës së mjeshtrit të karatesë, të ndjerit Xhevat Makolli, i cili dha shumë për zhvillimin dhe masivizimin e këtij sporti në Kosovë dhe Shqipëri,” u shpreh Baruti, duke falënderuar familjen Makolli për kontributin e dhënë në sport, veçanërisht në karate dhe kick boks, ku aktualisht kryetar është Fatmir Makolli.
Në emër të familjes Makolli, Fatmir Makolli, vëllai i të ndjerit, falënderoi të gjitha klubet pjesëmarrëse nga trojet shqiptare, personalitetet dhe institucionet që kontribuan në organizimin e turneut. Ai përshëndeti gjithashtu artistin Gjon Frroku, i cili u paraqit me një këngë të veçantë kushtuar Xhevat Makollit, si dhe të gjithë garuesit, trajnerët, gjyqtarët dhe përfaqësuesit e mediave.
Familja Makolli u nderua me mirënjohje nga FKK-ja, e ndarë nga kryetari Besart Baruti.
Ndërkaq, gjeneral Hisen Berisha theksoi se ky turne nuk ishte thjesht një ngjarje sportive, por një nderim për një jetë të jetuar me dinjitet dhe përkushtim ndaj atdheut:
“Arrestimi dhe burgosja e tij nga regjimi serb, e më pas kontributi në furnizimin dhe organizimin e UÇK-së, tregojnë qartë se Xhevati nuk e ndau asnjëherë sportin nga atdheu. Ai ishte i palëkundur në ideal dhe i pa kompromis ndaj padrejtësisë.”
Gjenerali Berisha u nderua me mirënjohje nga FKK, ndarë nga sekretari i përgjithshëm Nazmi Gashi.
Kryetari i nderit i KOK-ut, Besim Hasani, përshëndeti garuesit dhe familjen Makolli, duke theksuar se:
“Xhevati e kreu misionin e tij si familjar, sportist dhe atdhetar. Po të ishte sot gjallë, sporti dhe politika do të ishin ndryshe. Shpresojmë që ky turne të bëhet edhe më masiv dhe ndërkombëtar vit pas viti.”
Edhe ish-kryetari i FKK-së, Nezir Rama, foli për kontributin e Xhevatit si kampion absolut i Kosovës, trajner dhe themelues i klubit “Kosovatransi.
