Drejtori i Përgjithshëm i Industrisë Ajrore dhe Hapësinore të Turqisë, Temel Kotil njoftoi se në vitin 2023 do të fluturon dhe avioni supersonik turk HURJET dhe helikopteri luftarak ATAK-2
Drejtori i Përgjithshëm i Industrisë Turke Ajrore dhe Hapësinore (TUSAS) Temel Kotil tha se më 18 mars 2023 do të fluturojë avioni supersonik turk HURJET dhe helikopteri luftarak turk ATAK-2 dhe se avioni luftarak kombëtar turk do të dalë nga hangari, raporton Anadolu Agency (AA).
Kotil foli para gazetarëve në Stamboll me rastin e Panairit të 15-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2021), i cili u hap dje në prani të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
Ai tha se janë duke vazhduar aktivitetet në lidhje me prodhimin e avionit luftarak turk.
“HURJET dhe ATAK-2 do të fluturojnë më 18 mars 2023 ndërsa avioni luftarak kombëtar do të dalë nga hangari”, tha Kotil.
Duke theksuar se Turqia aktualisht po zbaton disa projekte në industrinë e aviacionit, përfshirë prodhimin e dronit supersonik Goksungur, Kotil tha se ata aktualisht janë më të fokusuar në realizimin e projekteve HURJET, ATAK-2 dhe avionit luftarak kombëtar.
Ai potencoi projektin HURJET si veçanërisht të rëndësishëm dhe të suksesshëm sepse ai solli një numër të madh të stafit profesional në Turqi dhe është një projekt i avionit supersonik me një motor, dy ulëse për stërvitje dhe operacione të lehta luftarake.
“Ne bëmë disa punë në mënyrë që HURJET të mund të ngrihet dhe të ulet në anijet aeroplanmbajtëse”, shpjegoi Kotil.
Duke theksuar se zjarret e fundit kanë treguar gjithashtu multi-funksionalitetin dhe dobinë e dronëve, Kotil tha se këta dronë kanë kamera që janë aktive si ditën ashtu edhe natën dhe që janë të mira për zbulimin e menjëhershëm të zjarrit.
Kotil deklaroi se kompania TUSAS është bërë një nga qendrat teknologjike të Turqisë dhe një markë gjithnjë e më e spikatur në botë. Ai shtoi se qëllimi është që të punësohen 10 mijë inxhinierë në këtë kompani.