Turqia ka vendosur që të bëjë një hap pas dhe t’i hapë rrugë anëtarësimit të Suedisë në NATO. Lajmin e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg pas një mbledhje me presidentin turk Recep Erdogan dhe kryeministrit suedez Ulf Kristersson.
Në një postim në Twitter, shefi i NATO-s e cilëson të hënën një ditë historike teksa shprehet se Erdogan ra dakord që të nisë në Parlament për ratifikim, aplikimin e Suedisë.
Megjithatë, nuk dihet ende se sa kohë do të marrë Erdogan për ta nisur procedurën në Asamblenë Kombëtare të Turqisë.
I lumtur të njoftoj se pas takimit që pata me Erdogan dhe kryeministrin e Suedisë, Presidenti Erdogan ka rënë dakord ta përcjellë protokollin e pranimit të Suedisë në Asamblenë e Madhe Kombëtare sa më shpejt dhe të sigurojë ratifikimin. Ky është një hap historik që i bën të gjithë aleatët e NATO-s më të fortë dhe më të sigurt.
Jens Stoltenberg, Twitter
Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan deklaroi se do t’i hapte rrugën anëtarësimit të vendit nordin në NATO, nëse Turqia do të pranohej në Bashkimin Europian.
“Nëse i hapni rrugën anëtarësimit të Turqisë në BE, atëherë ne, ashtu siç bëmë edhe me Finlandën do t’i hapim rrugën edhe Suedisë,” deklaroi presidenti turk përpara takimit tripalësh.
Negociatat gjatë takimit duket se kanë rezultuar të frytshme pasi Turqia lëshoi më në fund pe.
Suedia dhe Finlanda i nisën së bashku procedurat për anëtarësim në NATO, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Megjithatë, rruga e Suedisë u ndërpre nga kushtet e Ankarasë.
Finlanda u bë anëtari i 31-të i NATO-s në prill, pak pasi parlamenti turk miratoi një projektligj qe i hapte rrugën anëtarësimit te shtetit nordik në aleancën perëndimore.
Ankaraja ishte e fundit, mes 30 vendeve të NATO-s që dha dritën jeshile, pasi parlamenti Hungarez e ndërmori një hap të tillë më herët gjatë javës se kaluar.