Turqia arriti një marrëveshje me Libinë për një qira 99-vjeçare të portit të Homsit, midis Tripolit dhe Misratës, në mënyrë që të ndërtonte një bazë ushtarake.
Kjo lëvizje e Ankarasë vjen si pjesë e memorandumit turko-libian të vitit 2020, i cili përfshinte ngritjen e dy bazave ushtarake turke në Libi, ndërkohë që vazhdojnë aktivitetet e kërkimit të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor.
Siç raportohet nga rrjeti turk pro-qeveritar i lajmeve TGRT Haber, krijimi i bazës ushtarake, e cila do t’i jepet Marinës dhe Forcave të Armatosura Turke, synon forcimin e sovranitetit të Ankarasë në Mesdheun Lindor, sigurimin e zonave juridiksionale detare turke dhe sigurinë e anijeve tregtare.
“Turqia, e cila po shkakton frikë me aftësitë e saj teknologjike ushtarake dhe po bën lëvizje mbresëlënëse në Mesdheun Lindor, ka nënshkruar një marrëveshje që do të ketë një ndikim të fortë në Greqi,” raporton TGRT, duke vënë në dukje se është planifikuar vendosja e dronëve turq.